Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia është ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës për të pasur “Ballkan të Hapur”.
I pari i ekzekutivit tha se gatishmëria për bashkëpunim rajonal shprehet me mbështetjen për Procesin e Berlinit si dhe angazhimin për tregun e përbashkët rajonal.
“Nuk besojmë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit, Ballkani nuk përbëhet vetëm nga 6 shtete në përgjithësi. Ballkani Perëndimor ende i paintegruar në BE përbëhet nga 6 shtete me ç’rast këto s’mund të trajtohen bashkë, sepse kemi shtete që nuk e kanë dënuar dhe s’kanë vënë sanksione ndaj Rusisë”.
“Ka shtete në Ballkanin Perëndimor që janë në anën e Ukrainës, dhe kemi shtete si puna e fqinjit tonë verior që është në anën e federatës ruse dhe presidentit despotik të saj. Për të pasur Ballkan të Hapur, është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës”, tha Kurti.
Ai tha se e mbështet qëndrimin amerikan se nuk mund të ketë Ballkan të Hapur përderisa nuk janë gjashtë shtete në të.
“E mbështesim qëndrimin amerikan se s’mund të ketë Ballkan të Hapur të themeluar si iniciativë përderisa s’janë 6 shtete, është mirë një herë të shikohet a janë të 6 shtetet. Të mos e mundojnë as veten e tyre, sepse nuk janë 6 shtetet nuk ka Ballkan të Hapur”, tha Kurti.