Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka qëndruar sot në Prizren ku së bashku me kryetarin Shaqir Totaj kanë vizituar realizimin e projekteve që kanë nisur të zhvillohen në kryeqytetin historik e kulturor.
Krasniqi u shpreh i kënaqur që një ndër punët e para të mëdha të qeverisjes së re në këtë komunë është përmirësimi i infrastrukturës rrugore.
“Sot jam këtu jo vetëm për të inkurajuar kryetarin Shaqir Totaj, por edhe për t’i përgëzuar për faktin që atë që e kanë premtuar para disa muajsh kur morën besimin e qytetarëve për ta qeverisur kryeqytetin tonë historik, Prizrenin, tashmë janë duke e zbatuar, duke e vënë në praktikë, duke e realizuar, sepse e kanë kthyer Prizrenin vërtetë në një kantier ndërtimi”, tha ai.
Krasniqi kritikoi Qeverinë Kurti për bllokimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, gjë që po i pengon komunat në implementimin e shumë projekteve kapitale.
“Por, gjithsesi kur ka vullnet, kur ka profesionalizëm, kur ka përkushtim e besim të ndërsjellë me qytetarët, punët realizohen dhe Prizreni është një nga këta shembuj të mirë, është një model i qeverisjes ndryshe, i qeverisjes me qytetarin dhe për qytetarin dhe është model i qeverisjes që PDK do ta mbështesë e do ta replikojë, jo vetëm në nivelin komunal, por edhe në nivelin qendror në të ardhmen. Prandaj i përgëzoj qytetarët e Prizrenit për mbështetjen që i kanë dhënë PDK-së, kryetarit Totaj dhe këtij ekipi të mrekullueshëm.”, theksoi ai.
Lideri i PDK-së shtoi se kryetari Totaj punon për të gjithë qytetarët dhe është e pafalshme që asnjë përfaqësues i Qeverisë së Kosovës nuk e ka zhvilluar vizitë në Komunën e Prizrenit.
“Vetëm fakti që kanë kaluar tashmë 6 muaj prej kur Shaqir Totaj e ka marrë detyrën, e kryeministri i Kosovës, e besa as ministrat e ri nuk kanë dënju që të vijnë në kryeqytetin historik të shqiptarëve në Prizren për ta takuar kryetarin tregon çfarë bashkëpunimi ka. Ata jo vetëm që janë neglizhentë, janë bllokues dhe kjo para së gjithash po i dëmton interesat e qytetarëve.”, tha Krasniqi.