Të premten në Selanik të Greqisë është mbajtur Samiti i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, ndërsa në darkën e përbashkët i pranishëm ishte edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.
Në darkën e përbashkët të liderëve të Evropës Juglindore ishte edhe presidentja vendit, Vjosa Osmani.
Osmani përmes një postimi në Twitter, ka thënë se ndjehet e kënaqur që ka takuar kancelarin gjerman, të cilin e ka falënderuar për angazhimin personal ndaj rajonit të Ballkanit.
“Kosova është e bekuar me mbështetjen nga Kancelari Scholz dhe miqësinë me Republikën Federale të Gjermanisë.
Jam e kënaqur që e takova në Selanik në Samitin SEECP ku e falënderova kancelarin për angazhimin e tij personal ndaj rajonit tonë”, ka shkruar Osmani.
Në darkën e liderëve të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore, përveç kancelarit Scholz, ishte edhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.
Në fotografinë e publikuar nga darka e përbashkët shihet kancelari Olaf Scholz në qendër të tavolinës, afër nikoqirit Kyriakos Mitsotakis dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Krah Osmanit ishte Edi Rama.
Përballë tyre ishin kryeministri i Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ai i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
E lidhur me takimin në Selanik, edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar fotografi.
“Në darkën e punës së pjesëmarrësve në Samitin e SEECP (Procesi i bashkëpunimit të Evropës Juglindore)”, ka shkruar Rama.
Ndryshe, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani -Sadriu, gjatë vizitës në Greqi është pritur në takim nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në kuadër të Samitit të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore (SEECP).
Osmani ka vlerësuar ngritjen e vazhdueshme të raporteve në mes të Kosovës dhe Greqisë dhe takimet e shtuara në mes liderëve të dy vendeve tona.
“Ekonomia, tregtia e turizmi janë disa nga fushat më të rëndësishme në fokus të bashkëpunimit kosovaro-grek, për të cilat si krerë shtetëror po punojmë bashkërisht që t’i avancojmë, për t’i përafruar edhe më shumë dy popujt tanë dhe bizneset tona”, ka thënë Presidentja Osmani, duke përmendur gatishmërinë e Kosovës që t’i thellojë tutje marrëdhëniet me Greqinë.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Mitsotakis kanë biseduar edhe për luftën ilegale dhe të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, dhe nevojën që demokracitë të qëndrojnë të bashkuara karshi sfidimit të vlerave euro-atlantike. Presidentja Osmani ka nënvizuar nevojën për vëmendje të partnerëve euro-atlantik për rajonin tonë, sidomos ndaj veprimeve që kanë për qëllim të destabilizojnë stabilitetin dhe paqen e fituar me mund në rajonin tonë.
Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka përmendur edhe bashkëpunimin në politikën e jashtme si vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, duke theksuar se mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe integrimi euro-atlantik, duhet të shihen edhe nga prizmi i sigurisë, sepse vetëm kështu mund të garantohet avancimi i demokracisë, të drejtave të njeriut, sigurisë dhe paqes në rajon dhe më gjerë.