Mbrojtja e ish-deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit, i cili po akuzohet për krime lufte, ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake që parashtresat për rishikimin e paraburgimit t’i dorëzojë brenda dhjetë ditëve nga marrja e vendimit të Apelit lidhur me ankesën që kanë parashtruar ndaj vendimit për vazhdimin e paraburgimit të këtij të fundit.
Në këtë shkresë thuhet se më 13 maj 2022, gjyqtari i procedurës paraprake refuzoi kërkesën për lirim të përkohshëm të Selimit.
Sipas shkresës, në të njëjtin vendim, gjyqtari i procedurës paraprake urdhëroi Selimin “nëse dëshiron ta bëjë këtë, të paraqesë parashtresa për rishikimin e radhës të paraburgimit jo më vonë se e mërkura, 22 qershor 2022”.
Ndërkaq, thuhet se më 25 maj 2022, mbrojtja ka paraqitur ankesë kundër këtij vendimi dhe vendimi për këtë ankesë nuk pritet të jepet deri më 22 qershor 2022.
“Në bazë të rregullit 9(5)(a) të Rregullores së Procedurës dhe Provave, mbrojtja kërkon ndryshim të afatit kohor të caktuar nga gjyqtari i procedurës paraprake për të paraqitur parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit në mënyrë që parashtresat e tilla të sigurohen, nëse është e nevojshme, brenda dhjetë (10) ditëve nga pranimi i vendimit të lëshuar nga Kolegji i Gjykatës së Apelit në lidhje me ankesën në pritje”, thuhet tutje.
Mbrojtja ka pretenduar se ekziston një arsye e mirë për zgjatjen e kërkuar të afatit.
Ata thonë se çdo paraqitje e ardhshme e mbrojtjes, nëse kërkohet, për rishikimin e paraburgimit do të përfitonte nga marrja dhe shqyrtimi i vendimit të Apelit.
Sipas tyre, përveç kësaj, këto zgjatje kohore për parashtresat e rishikimit të paraburgimit janë dhënë më parë mbi këtë bazë nga gjyqtari i procedurës paraprake.
“Duke marrë parasysh se zgjatja e kërkuar kërkon heqjen e të drejtës së të akuzuarit për rishikimin e paraburgimit të tij në baza dy mujore në përputhje me nenin 41(10) të Ligjit Nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar dhe Rregulloren 57(2) të Rregullores, Mbrojtja konfirmon se, në në mënyrë të veçantë, Selimi heq dorë nga e drejta e rishikimit të paraburgimit”, thuhet në këtë shkresë.
Në fund thuhet se prandaj, mbrojtja me respekt kërkon nga gjyqtari i procedurës paraprake që të gjejë se ekziston një shkak i mirë në përputhje me rregullin 9(5)(a) të Rregullores për një ndryshim të kohës dhe të urdhërojë që parashtresat për rishikimin e paraburgimit, nëse ato janë të nevojshme, të dorëzohet brenda dhjetë (10) ditëve nga marrja e vendimit përkatës të Apelit.
Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.
Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.
“Si alternativë, disa ose të gjithc këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.