Pas tubimit të djeshëm në Gjilan, kandidati për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, ka publikuar një video-mesazh në Facebook ku ka folur për prioritetet e Anamoravës dhe projektet infrastrukturore të mbetura pezull.
Gjini ka theksuar se Anamorava ka qenë gjithmonë prioritet i qeverisjes së Aleancës, duke kujtuar nisjen e Autostradës së Gjilanit si një ndër projektet e para të qeverisjes së atëhershme.

“Anamorava ka qenë gjithmonë prioritet i Qeverisjes së Aleancës, gjë që e dëshmuam me nisjen e Autostradës së Gjilanit si një nga projektet tona të para. Fatkeqësisht, kjo qeverisje nuk e ka prioritizuar asnjëherë këtë projekt”, ka thënë Gjini.
Ai ka kritikuar gjendjen aktuale të projektit, duke shtuar se qytetarët e Anamoravës e njohin më së miri realitetin në terren.
Sipas Gjinit, me planin konkret të Aleancës, Gjilanit dhe gjithë Anamoravës do t’u rikthehen projektet e mëdha zhvillimore.
“Gjilanit dhe Anamoravës, me planin tonë konkret, do t’ia kthejmë projektet e mëdha”, është shprehur ai para qytetarëve në tubimin e mbajtur dje në Gjilan.
