Afër gjysma e kontributdhënësve do të mund t’i tërhiqnin mesatarisht nga 95.5 euro nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti).
Kështu u tha në konferencën e organizuar nga Instituti për Studime të Avancuara GAP gjatë prezantimit të raportit “Ndikimi i tërheqjes së kursimeve pensionale deri në 30 për qind në ekonominë e Kosovës”, duke shtuar se të drejt të tërheqjes kanë mbi 695 mijë qytetarë.
“Në rast se miratohet ky Ligj, Trusti obligohet që të fillojë procedurat për shpërndarjen e deri 594 milionë eurove, apo afër çerekun e mjeteve nën menaxhimin e Fondit. Pra, kjo do t’ua mundësonte tërheqjen e kursimeve për 695 mijë e 523 kontributpagues. Afër gjysma e tyre, apo 48.6 për qind, pritet të tërheqin mesatarisht nga 95.5 euro”, tha Rrona Zhuri, hulumtuese në GAP.
Sipas saj, vlera mesatare e kursimeve të një kontributdhënësi në Fond është 5,400 euro.
“Vlera mesatare e kursimeve të një kontribuesdhënësi në Trust është 5,400 euro, ku në rast të tërheqjes së parakohshme të kursimeve, rikuperimi do të merrte 8 vite kohë, si dhe shterja e kursimeve pensionale në moshën e pensionimit do të shkurtohej për 2.2 vite”, shton ajo.
Zhuri theksoi se injektimi i 594 milionë eurove në treg do të rëndonte edhe më tej situatën me çmime.
“Injektimi i 594 milionë eurove në treg do të rëndonte edhe më tej situatën me çmime. Nëse e krahasojmë shumën e propozuar për tërheqje me peshën e konsumin familjar gjatë vitit 2021, pra injektimi paraqet një rritje të konsumit prej 9.2 për qind”, theksoi Zhuri.
Për zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi mbi 70 për qind e qytetarëve nuk përfitojnë nga kjo shumë.
“Mbi 70 për qind nuk përfitojnë nga kjo shumë. Si ka mundësi që tërheqja e 120 eurove nga Trusti është në dobi e jo 100 eurot e ndara nga Qeveria? Pra, 594 milionë euro është 30 për qind e parave në treg”, tha Bislimi.
Ai shtoi se po hapet rruga që Trusti të mbyllet si institucion.
“Me këtë, rruga është hapur që Trusti të mbyllet si institucion”, shtoi ai.
Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhi, i cili njëherësh është iniciuesi i këtij Projektligji, tha se kjo kërkesë po bëhet pasi është rënduar gjendja ekonomike e qytetarëve.
“Arsyeja e mjeteve të pakta është se niveli i pagave ka qenë i ulët dhe koha e shkurtër e punës. Ata që kanë më pak para në Trust do të mbështeten më shumë. Janë 366 mijë llogari aktive në Trust, nga të cilat 1.73 miliard euro janë investuar në tregjet jashtë vendit. Pra, tërheqja e kursimeve është vullnetare. Kostoja e këtij Projektligji është 484 milionë euro”, tha Haxhiu.
Të enjten e kësaj jave në Kuvendin e Kosovës në rend të ditës për diskutim është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensional.
Pro kësaj tërheqje janë shprehur partitë opozitare, por që po kundërshtohet fortë nga Lëvizja Vetëvendosje.