Festivali “Beerfest Kosova” i paraparë të mbahet më 24 deri 26 qershor është anuluar, kjo sipas njoftimit, ngase festivali nuk po lejohet të mbahet në lokacionin e paraparë nga Policia e Kosovës.
Në një komunikatë për media nga organizatorët e festivalit bëhet e ditur se në një takim me zyrtarët e Komunës së Prishtinës, drejtorëve të drejtorive relevante dhe Policisë së Kosovës që është mbajtur të hënën, organizatorëve u është komunikuar vendimi nga Policia e Kosovës që ky festival nuk do të lejohet të mbahet në lokacionin e përcaktuar (Parkingu, prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë), me arsyetimin se ky lokacion nuk i plotëson kushtet për këtë organizim.
“Kërkesat tona zyrtare për leje dhe pëlqime relevante për mbajtjen e këtij festivali në lokacionin e cekur, janë bërë në fillim të muajit Mars. Deri në takimin e përbashkët që e kishim, nuk kemi pas asnjë përgjigje, përkundër insistimit tonë, duke na mbajtur kështu peng për lokacion. Për neve si organizatorë ky është një vendim shumë i dëmshëm, i vonshëm dhe i pa arsyeshëm. Në lokacionin e njëjtë ne i kemi mbajtur 4 edicionet e fundit dhe mendojmë që si lokacion është i përshtatshëm për këtë festival dhe aktivitete të tilla të ngjashme”, thuhet në njoftim.
Organizatorët thonë se për shkak të vonesave për të gjetur një tjetër lokacion, janë të detyruar që të anulojnë mbajtjen e festivalit në këto data, në lokacionin e paraparë.
“Beerfest Kosova dhe MODUS, si organizator i festivalit tani është në kërkim të një lokacioni të ri të përshtatshëm dhe përcaktim të datave të reja”, thuhet në njoftim.