Dy ditë më parë në Kuvendin e Kosovës është votuar projektligji për pagën minimale, projektligj ky i cili nuk përfshinë edhe veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Edhe pse një debat mjaft i gjerë është bërë lidhur me përfshirjen apo jo të veteranëve, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan në parim të parë atë.
68 deputetë ishin të pranishëm në votimin e këtij projektligji, kurse gjashtë kanë abstenuar.
E kundër këtij projektligji ishin deputetët e opozitës, të cilët edhe u larguan nga salla e Kuvendit të Kosovës, me rastin e votimit.
E për të kundërshtuar këtë vendim veteranët e UÇK-së do të mblidhen sot para objektit të Kuvendit të Kosovës, për të protestuar kundër projektligjit për pagën minimale.
Për t’u kujdesur për sigurinë publike dhe që të mos ketë eskalim të situatës në këtë rast, Policia e Kosovës është vendosur tashmë para objektit të Kuvendit të Kosovës.
Njësi të shumta policore sot kanë zbarkuar pikërisht në këtë vend, në mënyrë që të ofrohet siguri sa më e madhe për të gjithë qytetarët, duke përfshirë këtu edhe zyrtarët e shumtë.
Nga Policia e Kosovës kanë zhvilluar të mërkurën një takim njoftues me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së me qëllim të njoftimit rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes së saj dhe masave tjera që lidhen me zhvillimin e protestës.
Policia e Kosovës thotë se njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive si e drejtë ligjore.
Lidhur me këtë lajmërim Policia e Kosovës thotë se ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik.
Policia paralajmëron se do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e protestës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore.
Sipas procedurave të parapara policia do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës. Policia bën thirrje që protesta të zhvillohet e qetë duke respektuar ligjet e vendit dhe që kërkesat të shpalosin në mënyrë demokratike e ligjore.