Sot u raportua për një incident që ndodhi dje në Emergjencën e Spitalit të Gjakovës, ku një pacient ka kërcënuar një zyrtar të kësaj qendre. Si pasojë e kësaj ai u arrestua dhe ndaj të njëjtit Prokuroria ka nisur hetimet.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se personi që përfundoi në ndalim policor është Florentin Gjinaj, 25-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur pasi Gjinaj kishte kërkuar trajtim mjekësor në këtë qendër, duke ofenduar e kërcënuar një zyrtar, me fjalët “Hape derën të kaloj, se ti s’e din çfarë familje jena na, unë fytyrën ta qkyj”.
25-vjeçari është shoqëruar më pas në stacion policor, ku pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “kanosje”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.