Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca do të udhëtoj sot drejt Hagës, për t’u takuar me ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim.
Lajmin ka konfirmuar, Ilir Kërçeli shef i kabinetit të Kryetarit të Kuvendit. Kërçeli ka bërë të ditur se në Hagë do të takohen me të gjithë të ish-krerët e UÇK-së.
“Të premten udhëtojmë, do t’i vizitojmë të gjithë”, ka deklaruar Kërçeli.
Lidhur me këtë vizitë, kryeparlametari Konjufca ka thënë se këtë vizitë po e bëjnë me qëllim që të shohin nga afër sesi po trajtohen ish-krerët e UÇK-së.
“Duket qartë se në disa aspekte ata apo shkelin të drejtat e tyre. Ata po i afrohen kohës 2-vjeçare të paraburgimit dhe s’është bërë asgjë. Nuk u është siguruar as mbrojtja e tyre në liri. Jemi të shqetësuar si institucione. Do flasim me zotërinjtë Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli për këto çështje”, kishte deklaruar Konjufca për RTSH.
Në Hagë, ish-liderët e UÇK-së, pos vizitave nga anëtarët dhe deputetët e PDK-së, janë takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Por të njëjtët kishin refuzuar një takim me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.