Mbledhja e tetë me radhë mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë do të mbahet të hënën e javës së ardhme në Prishtinë.
Dy kabinetet qeveritare pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje në fushën e drejtësisë, arsimit, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit dhe sigurisë publike. Ndërkohë, pavarësisht mospajtimeve me kryeministrin Edi Rama për disa çështje, në Qeverinë e Kosovës, thonë se mbledhja e përbashkët është dëshmia më e mirë e nivelit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për KosovaPress se disa prej marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen të hënën janë afër finalizimit.
“Mbledhja e radhës e dy qeverive, asaj të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, mbahet të hënën e javës së ardhshme më 20 qershor. Kjo do të jetë mbledhja e tetë me radhë e dy qeverive. Presim të nënshkruhen një numër marrëveshjes, disa prej tyre aktualisht janë duke u finalizuar. Këto marrëveshje do të përfshijnë fusha të ndryshme, si ajo e drejtësisë, arsimit, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit dhe sigurisë publike, por edhe fusha të tjera”, thotë ai.
Nga ana tjetër, më skeptik për këto mbledhje të dy qeverive shqiptare është ish-kryediplomati nga Shqipëria, Besnik Mustafaj.
Ai thotë për KosovaPress se nëse s’ka diçka konkrete për zbatimin e çfarëdo marrëveshje, atëherë të njëjtat janë pjesë vetëm e propagandës politike.
“Në qoftë se marrëveshjet që mund të bëhen ndërmjet ministrave, ato duhet të shoqërohen me një program se çfarëdo të bëhet gjatë vitit 2022, 2023, 2024, kush është përgjegjës për këtë etapë, ku në Tiranë, Prishtinë, Prizren, Shkodër. Pasi nëse nuk shoqërohen me këto janë vetëm copa letre me iu tregu shqiptarëve që ulen atje, përshëndesin njëri-tjetrin dhe mbaron puna. Nuk ka të keqe, por nuk prodhon (asgjë), janë pjesë e propagandës këto mbledhje nëse nuk prodhojnë rezultat konkret”, thekson ai.
Mirëpo, Kryeziu, përmend rezultatet konkrete të marrëveshjeve të nënshkruara në nëntor të vitit të kaluar.
“Deri më tani rezultate konkrete nga ato marrëveshje kemi lehtësimin e procedurave për leje qëndrimin pesëvjeçar të qytetarëve të dy vendeve, hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec-Krushevë, lehtësimin e procedurës për njohjen dhe njehsimin reciprok të diplomave, ndihmën e ndërsjellët juridike në çështje civile dhe tregtare, krijimi i kalendarit të përbashkët kulturor, vjetor 2021-2022 Shqipëri-Kosovë, rritja e bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore, kurse edhe atë të bujqësisë. Disa marrëveshje nga mbledhja e kaluar janë drejt finalizimit praktik të tyre, por iu ka mbetur që të adresohen edhe disa çështje teknike, sikurse ajo rregullimi i regjimit të trafikut lokal kufitar, lehtësimi i procedurave kufitare në pikën Vërmicë-Morinë, studimi i fizibilitetit për segmentin hekurudhor Prishtinë-Durrës, Durrës-Prishtinë, si dhe njohja e ndërsjellë e sigurimeve shoqërore ndërmjet dy vendeve”, thotë Kryeziu.
Lidhur me mospajtimet me kryeministrin Edi Rama, rreth iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur”, Kryeziu thotë se pavarësisht këtyre, mbledhja e përbashkët është dëshmia më e mirë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Fakti që kemi dy mbledhje të përbashkëta të dy qeverive në më pak se një vit, flet dhe është dëshmi për vullnetin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy vendeve tona. Në nëntor të vitit 2021 kemi pasur një mbledhje të përbashkët në Elbasan, në qershor të vitit 2022 po mbajmë një mbledhje në Prishtinë. Herën e kaluar kemi nënshkruar 13 marrëveshje, shumica e tyre kanë gjetur tashmë zbatim. Këtë mbledhje po synojmë të nënshkruajmë edhe disa marrëveshje që synim kanë bashkëpunimin dhe lehtësimin e qytetarëve të dy vendeve. Kjo është dëshmia më e mirë e nivelit të bashkëpunimit, pavarësisht mos pajtimeve për çështje të caktuara”, shton Kryeziu.
Deri më tani janë mbajtur shtatë mbledhje të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku janë nënshkruar mbi 100 marrëveshje mes dy shteteve