Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë ditës së sotme duke raportuar para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, është deklaruar se ministria që ai drejton ka nevojë për mbështetje sa i përket rritjes së buxhetit për FSK-në, raporton Gazeta “Enigma”.
Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Mehaj është shprehur se një kërkesë të tillë e kanë adresuar edhe në organet tjera qeverisëse.
“Kemi nevojë për mbështetje për të rritur buxhetin, kemi përmend edhe përmes qeverisë, tjetra pikë që kam lyp mbështetje është të lirohemi nga doganat dhe shlyerjen e borxhit të doganave, e kemi një borxh të caktuar në dogana por edhe çdo mall që na vjen përmes Ministrisë së Mbrojtjes ne paguajmë doganë, rimbursimi na shkon 12 deri 14 muaj. Sa i përket forcimit ushtarak, ne do të punojmë në drejtimin e vazhdimit të planit për forcimin e regjimenteve si t’i kryejnë detyrat në mbrojtje të territorit të Kosovës, në atë kuptimin të forcohemi ushtarakisht përmes armatimit sa i përket këtyre detyrave për mbrojtjen e territorit të Kosovës”, ka thënë Meha.
LEXO EDHE: Ministri i Mbrojtjes: Shërbimi ushtarak i detyrueshëm nuk pritet të ndodhë së shpejti
Gjatë këtij raportimi Mehaj është pyetur se sa është e drejtë që ai tani të ushtrojë kontroll civil, meqë është ish-ushtarak.
“Folët shumë për kontrollin civil të ushtrisë, unë kam parë se tre ministrat e Mbrojtjes të fundit të Norvegjisë, nuk kam parë asnjë ushtarak me profesion që ka qenë, jeni ushtarak me profesion, ushtarak i rangut të mesëm, çfarë mendoni sa është e qëlluar dhe sa është realisht reale që të ushtroni kontroll civil si ish-ushtarak”, ka pyetur deputeti i PDK-së, Elmi Reçica./Gazeta Enigma.