4 ndeshje evropiane brenda 9 ditëve në stadiumin “Fadil Vokrri”, klubet kosovare të shqetësuara për gjendjen që do ta ketë fusha

4 ndeshje evropiane brenda 9 ditëve në stadiumin “Fadil Vokrri”, klubet kosovare të shqetësuara për gjendjen që do ta ketë fusha

Mungesa e infrastukturës dhe stadiumeve që përmbushin kriteret e UEFA-s për ndeshje evropiane është padyshim një nga problemet kryesore në futbollin kosovar.

Sivjet, ndryshe nga vitet tjera, katër skuadra kosovare do të marrin pjesë në garat evropiane, një në Champions League dhe tri në Conference League.

Megjithatë, katër skuadrat kosovare ndeshjet si vendas do t’i luajnë në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, kjo pasi asnjë stadium tjetër nuk i përmbush kërkesat për ndeshje të nivelit evropian.

Llapi, Gjilani, Drita e Ballkani të gjitha këto skuadra do luajnë në Prishtinë ballafaqimet e tyre në Evropë.

E mira e kësaj është që UEFA ka bërë zgjidhje për orarin e ndeshjeve, por stadiumi në kryeqytet do të mbingarkohet – pasi aty do luhen dy ndeshje për tri ditë, kurse katër në total brenda 9 ditëve.

Menaxheri i klubit tek SC Gjilani, Drilon Sylejmani, tha për ‘GazetaBlic Sport’ se kjo është një ngarkesë, por që nuk do të jetë një risi pasi që ka ndodhur dhe në ciklet eleminatore të kombëtareve të Kosovës që të zhvillohen shumë ndeshje brenda pak ditëve.

Natyrisht se do jetë ngarkesë, pasi që stadiumi do të shfrytëzohet nga katër ekipet që do luajnë në Evropë. Ka ndodhur edhe në ciklet eleminatorie të kombëtareve të Kosovës që të zhvillohen shumë ndeshje brenda pak ditëve, kështu që nuk do jetë një risi për këtë gjë”, tha fillimisht ai.

Më pas ai tha se ky është tregues i qartë që duhet të investohet në aspektin infrastrukturor, me të gjitha projektet që kanë ngecur në gjysmë.

Treguesi më i mirë pse duhet investuar në infrastrukturë sportive. Të gjitha projektet kanë ngecur në gjysmë dhe nuk dihet fundi i tyre. Kështu që kemi frikë që në këtë situatë do kalojmë edhe në vitet tjera”, përfundoi Sylejmani.

Idriz Hajrizi, menaxheri i përgjithshëm tek Ballkanit, tha poashtu se kjo gjë mund të jetë një barrë e madhe për stadiumin dhe se duhet të intervenohet menjëherë.

Patjetër që do të jetë një pëngesë dhe barrë e madhe për stadiumin. Kjo gjë mund të na penalizojë në ndeshje të tilla të rëndësishme, por këto janë kushtet momentalte. Federata dhe ministritë duhet të fokusohen tek investimi në këtë drejtim, sepse do të jetë shumë problem edhe për të ardhmen“, tha Hajrizi për ‘Blic Sport’.

Mendimin e njëjtë e kishte edhe drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, i cili tha se do të jetë shumë e vështirë që fusha të rigjenerohet në mënyrën e duhur.

“Intelektualët” do të përballen me skuadrën finlandeze, Inter Turku, me ndeshjen e parë që do të zhvillohet në fushën mysafire, kurse pas një jave, ndeshja kthyese do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Po është e vërtetë që do të kemi vetëm një stadium për këto ndeshje evropiane. Do të jetë shumë e vështirë të rigjenerojmë fushën për një kohë kaq të shkurtër dhe sigurisht që do të na krijoj probleme. Por, uroj që stafi i punonjësve të stadiumit “Fadil Vokrri” ta bëjë të pamundurën në menyrë që gjithçka të jetë gati në këtë drejtim“, tha fillimisht ai.

Pa diskutim, jo vetëm këtë vit, por tash e disa vite ka nevojë që të ketë më shumë stadiume gati për ndeshjet ndërkombëtare, sidomos në Gjilan ku stadiumi ka mbetur i shkretë dhe ku dy skuadra nga i njëjti qytet luajnë në Evropë. Nuk e di nëse duhet të ketë një arsye më të fortë që ky stadium të rifillojë punën, dhe ky qytet të ketë stadiumin e tij“, përfundoi Zymberi.

Related Articles