Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se të mërkurën është seanca ku në rend të ditës do të jetë edhe ndryshimi i Ligjit për fondet pensionale të Kosovës përmes të cilit mundësohet tërheqja e 30 % të parave nga Trusti, shkruan Gazeta Enigma.
“Ditën e mërkurë në seancën e së mërkurës do të jetë në rend dite Projektligji për tërheqjen e kursimeve në fondin pensional. Një kërkesë e qytetarëve që po vjen në kohën kur vendi po ballafaqohet me një rritje të çmimeve të produkteve esenciale ushqimore e të derivateve edhe të sfidës së energjisë elektrike”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka bërë të ditur edhe mbështetjen e Grupit Parlamentar të PDK-së për veteranët për përcaktimin e pagës minimale që u lanë jashtë këta të fundit.
“Ne vazhdojmë me i mbështet. Përcaktimi i pagës minimale është përcaktimi i të ardhurave minimale që mund të jetoj një familje. Mirë që ka filluar një dialog në mes të OVL-së dhe Qeverisë. Shpresojmë që ky dialog të përfundoj me një marrëveshje që do t’i gjej të kënaqur veteranët. Presim rezultat të kënaqshëm nga ky dialog”, ka thënë Tahiri./