Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, ka folur edhe në lidhje me raportin e Dick Martyt.
Rama theksoi se nuk ka asgjë të vërtet në këtë raport, derisa shtoi se ky raport ishte arsyeja e formimit të Gjykatës Speciale.
“Duke parasysh që akuza e trafikut të organeve, është një akuzë e përsëritur edhe në kontekste të tjera, nga ana e propagandës rusë, edhe në Këshillin e Sigurimit, Rusia ka goditur përsëri me një fjalim të ambasadorit të saj duke u kthyer te trafiku i organeve, duke pasë parasysh në akuzën ndaj Hasim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nuk ka as edhe një fakt të lidhur me Dick Martyn dhe raportin e tij, që ishte shkaku te rruga për të shkuar te Gjykata Speciale, për këtë dikush duhet të hapi veshët dhe të mos përgjigjet, por të dëgjojë”, është shprehur Rama.
“Bota duhet ta dëgjojë, sponsorët e atij tribunali duhet të dëgjojnë, ai tribunal është projektuar për t’i dhënë përgjigje akuzave të ngritura nga Dick Marty, nuk ka asgjë të vërtet në atë aktakuzë, dhe kemi të gjithë të drejtën që këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën, aspak dashamirëse me shqiptarët, që e kanë nxitur këtë raport”, shtoi ai.