Çfarë pritet sot nga Samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor?

Çfarë pritet sot nga Samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor?

Liderët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian do të takohen sot në një samit dyditor në Bruksel, e që i paraprinë një takim i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Takimi i liderëve të BE-së dhe gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor pritet të fillojë në orën 09:30 në ndërtesën e Këshillit Evropian, ndërkaq në 11:30 do të ketë konferencë për media.

Është raportuar në media se në këtë samit do të diskutohet edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, derisa për këtë disa nga vendet e BE-së kanë dhënë shenja pozitive.

Kosova është i shteti i vetëm në Evropë që ende nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë, pavarësisht se thirrjeve se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.

Në konkluzat që pritet të dalin nga ky samit, bëhet thirrje për sundim të ligjit dhe progres në dialogun Kosovë-Serbi, por që nuk përmendet diçka rreth liberalizimit të vizave.

Në këto konkluzione Bashkimi Evropian shpreh zotimin e plotë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ndërkaq bën thirrje për rëndësinë e reformave dhe sundimin e ligjit, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjyqësorit dhe luftimin e korrupsionit.

Në këto konluzione po ashtu përmendet çështja e dialogut Kosovë-Serbi, ndërkaq theksohet urgjenca e përparimit në dialog, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.

Përveç këtyre përmenden edhe çështje tjera për shtetet në rajon, mirëpo nuk përmendet çështja e liberalizimit të vizave.

Megjithatë deri në kohën kur pritet të nisë samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor konkluzat mund të pësojnë ndryshime.

Holanda dhe Franca konsiderohen dy vendet skeptike sa i përket çështjes së liberalizimit.

Por deputetja holandeze Kati Piri, e cila është edhe anëtare e Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, ka folur për çështjen e Ballkanit Perëndimor.

Në një shkrim në llogarinë e saj zyrtare në Twitter, Piri ka thënë se Holanda ka ndryshuar sa i përket integrimit evropian të shteteve të BP-së.

LEXO EDHE: Holanda me shenja pozitive për liberalizimin e vizave për Kosovën

Në Samitin e BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor, e pranishme do të jetë edhe presidentja Vjosa Osmani.

Në një intervistë për mediumin holandez NRC, Osmani ka thënë se shkon me shpresë por pa pritshmëri në lidhje me këtë çështje.

“Unë shkoj gjithmonë atje (BE) me shpresë, por pa shumë pritshmëri. Le të shpresojmë se nuk do të jetë një tjetër zhgënjim”, është shprehur ndër të tjera Osmani.

Related Articles