Themeluesi i komunizmit – Vështrim i ri për Karl Marksin

Themeluesi i komunizmit – Vështrim i ri për Karl Marksin

5 Maji është 203 vjetori i lindjes së Karl Marksit. Në këtë përvjetor Gjermania po e kujton më miqësisht filozofin. Tani po fillohet të kuptohet, se ai nuk është përgjegjës për çdo gjë që u krye në emër të filozofisë së tij.

Ai ishte filozofi më me influencë që ka pasur ndonjëherë Gjermania. Karl Marks lindi më 5 Maj 1818 në Trier, një qytet i vogël gjerman pranë Moselit. Që në vitet e rinisë, Marks luftoi për idetë liberale të kohës së tij. Për këtë arsye atij i duhej të shkonte në ekzil, fillimisht në Paris, pastaj në Londër. Në Angli ai ishte mjaft i interesuar për kushtet e punës së punëtorëve, që atëherë në fillesën e kapitalizmit shtypeshin e punonin në kushte të vështira.

Rreziku i dogmës

I ndikuar nga kjo eksperiencë, ai hartoi në vitin 1847 „Manifestin komunist”, në të cilin bashkë me shokun e idealit, Friedrich Engels, kërkonte shanse të barabarta për të gjithë. Me këtë manifest shënohet edhe lindja e komunizimit si ideologji. Sipas studiuesit të shkencave politike, Richard Löwenthal, komunizimi ishte më shumë se një analizë shoqërore, ai ishte në sytë e përkrahësve të tij gati si një fe. „Ndikimi historik i Marksit bazohej në lidhjen e veçantë të njohurive të reja shkencore dhe vizionit entuziast utopik që i frymëzoi pionierët e lëvizjes punëtore në një lloj feje të kësaj bote. E një ideologji që përmbush funksionin e fesë rrezikohet gjithmonë që të ngrijë në një dogmë në mendjet e besimtarëve dhe priftërinjve të saj.”

Karl Marks, Londër, 28 shtator 1846

Më vonë Marks shkroi librin e tij të famshëm, „Kapitali”, që botohet në vitin 1867 e që u kthye në bazën teorike të ideologjisë komuniste. Marks analizon se puna e shumicës shërben për fitimet e mëdha një pakice. Ishte kjo vepër, së cilës sundimtarët komunistë të mëvonshëm i referoheshin gjithmonë. Lenini, Stalini, apo Mao Ce Duni. Në emër të Karl Marksit ata ngritën diktaturat komuniste, shumë vite pas vdekjes së Karl Marksit, filozofi nga Trier nuk arriti të përjetojë se çfarë pasojash pati vepra e tij.

Vepra e Marksit u përdor nga sundimtarët komunistë, marksizmi, leninizmi e stalinizmi u kthyen në simbol të diktaturës komuniste

Marksi nuk ishte vetëm një teoricien i madh, por edhe një shkrimtar i shkëlqyer. Deri më sot „Manifesti komunist” të habit me elegancën gjuhësore të tij. Teoria dhe arti i fjalës e bën Marksin një autor klasik të studiuar në të gjitha universitetet gjermane. Filozofi i njohur gjerman Ernst Bloch e kujton kështu kohën e universitetit. „Në vitet 1920-1925 në Heidelberg e universitete të tjera gjermane ishte si test inteligjence për një student gjerman të ishte marksist. Dhe një student që donte të merrej seriozisht duhej të njihte Marksin.”

Related Articles