Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se mos liberalizimi i vizave është lajm hidhërimi që qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë.
Abdixhiku ka thënë se “liberalizimi i vizave për kosovarët është e drejtë bazike njerëzore sot. Kosova ka të përmbushura kriteret e përcaktuara tashmë. Çdo vonesë në këtë drejtim është padrejtësi; padrejtësi e rëndë madje”.
“Mosliberalizimi i vizave është lajm hidhërimi që vendi ynë nuk e meriton dot. Përpjekja për liri të lëvizjes për qytetarët tanë, duhet të jetë angazhim i përbashkët i secilit patriot që synon ankorimin e Kosovës në bashkësinë e kombeve të lira, demokratike e prosperuese, në familjen euroatlantike. LDK, këtë rol do ta ushtrojë. Prandaj një muaj më parë, së bashku me eurodeputetë e delegatë të EPP, nxorëm një rezolutë që kërkonte mu këtë. Do të bëjmë rolin tonë mbështetës kudo që mundemi, sa herë që mundemi”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai ka thënë se “tani është radha e vendeve të BE-së t’i japin Ballkanit Perëndimor vizion të qartë e të guximshëm – Kosovës, minimalisht liberalizim vizash. Çdo përfundim ndryshe nga ky Samit, është inkurajim i forcave destabilizuese në Ballkan”.