Infektologu Ramadani: Mënyra e vetme mbrojtëse nga COVID-19 është vaksinimi me tri doza

Infektologu Ramadani: Mënyra e vetme mbrojtëse nga COVID-19  është vaksinimi me tri doza

Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë dy javëve të fundit, është shënuar rritje e rasteve të COVID-19, që ka ndikuar rrjedhimisht edhe në rritjen e rasteve aktive, shkruan Gazeta Enigma.

IKPSHKP ka bërë thirrje për qytetarët që ende nuk kanë asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19, të vaksinohen sa më parë.

“Me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes nga infeksioni, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që nuk kanë marrë ende asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19, që të vaksinohen, ndërsa qytetarët që i kanë marrë një apo dy doza të vaksinës, ta marrin dozën e dytë, respektivisht dozën e tretë të vaksinës”, thotë IKSHPK.

Sipas tyre “imuniteti i fituar përmes vaksinimit, me kalimin e kohës vjen duke rënë, prandaj vaksinimi me dozën e radhës (doza e dytë apo e tretë) ndihmon në rindërtimin e imunitetit”.

Në lidhje me këtë shqetësim Gazeta Enigma ka kontaktuar kryetarin e Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadanin, i cili bëri thirrje për vaksinim që të jemi sa më të mbrojtur nga COVID-19.

Tutje ai ka theksuar se vaksinimi është e vetja formë mbrojtëse nga COVID-19, edhe pse jo plotësisht pasi kemi raste që janë vaksinuar me tri doza të kësaj vaksine dhe prapë janë prekur nga COVID-i, por simptomat janë shumë më të lehta.

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani

“Është parë se ditët e fundit u shënua një rritje e rasteve me COVID-19 në nivel vendi, dhe kjo edhe është e pritur duke e ditur se vaksinimi kundër COVID-19 nuk jep ndonjë mbrojtje të gjatë imunologjike edhe në ata persona të vaksinuar komplet me tri doza, por edhe tek personat që e kanë kaluar sëmundjen me rrugën natyrale”, tha Ramadani.

“Në vend kemi rënie të madhe të personave që bëjnë vaksinim dhe imunizim ose mbrojtje nga pandemia, dhe të dhënat e paraqitura nga organet kompetente e tregojnë këtë, dhe se dyti është numri shumë i vogël i popullatës që kanë marrë tri doza të vaksinës anti-COVID, pra më pak se 10% aty te mosha mbi 18 vjeç e lart”, ka deklaruar Ramadani për Enigmën.

Ditëve të fundit ka pasur rritje të rasteve pozitive me COVID-19, por rritje të lehtë do të ketë në ditët dhe javët në vijim me ardhjen e diasporës, pasi do të ketë më shumë tubime dhe ahengje në masa më të mëdha.

“Kështu që këtu duhet kërkuar pse nuk kemi rënie por rritje të lehtë, e që mund të jetë ditëve ne vijim ose javëve rritje më e shtuar e rasteve me COVID-19, kur i shtojmë edhe ardhjen e diasporës dhe tubime ahengje koncentrimeve të personave në masë të madhe, atëherë mund të pritet edhe një rritje akoma më e shtuar e rasteve”, tha ai.

Ramadani: Mënyra e vetme mbrojtëse nga COVID-19 është vaksinimi me tri doza të vaksinës kundër koronavirusit.

“Prandaj masë e vetme mbrojtëse, dhe lufta e vetme kundër pandemisë së COVID-19 është vaksinimi i qytetarëve në masë dhe përqindje të madhe me vaksinën anti-COVID me tri doza, dhe së dyti të mbahen edhe masat tjera si higjiena, e bëjnë që pandemia të shkoj në drejtim të fundit dhe jo të rritjes së rasteve”, ka theksuar Ramadani.

Tutje ai ka thënë se “kur dihet pra se kemi armën mbrojtëse, pra vaksinimin e popullatës këtu duhet të përqendrohemi si institucione kompetente edhe vet njerëzit e të gjitha grup moshave të arrihet efekti i imunizimit kolektiv me mbi 70 ose 80 % në vend, ndryshe infeksionet me variante të reja të virusit të COVID-19 do të zgjasin”.

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se nga 206 testime, 39 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.

Gjithashtu sipas njoftimit gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.

Në 24 orët janë dhënë 53 doza të vaksinës kundër COVID-19

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.830.333 doza të vaksinës.

Deri më sot 823.653 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Deri më sot janë dhënë 103.112 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.

Sot janë shëruar 17 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 225.344.

Në total numri i rasteve aktive është 189./Gazeta Enigma/

Related Articles