Rusia thotë se lufta mbaron menjëherë nëse Ukraina dorëzohet. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i bëri thirrje autoriteteve të Kievit që të ulin armët dhe premtoi se operacioni ushtarak special do të përfundonte brenda një dite.
“Pala ukrainase mund t’i japë fund gjithçkaje që sot”, u shpreh ai. Por presidenti Volodymyr Zelensky ka përsëritur vazhdimisht se trupat e tij nuk do të dorëzohen dhe se do ta fitojnë këtë luftë.
Peskov shtoi se operacioni ushtarak special po shkon sipas planit dhe se të gjitha synimet do të përmbushen, teksa i kërkoi Kievit të plotësojë kushtet e vendosura nga presidenti rus, Vladimir Putin, për të garantuar paqen dhe sigurinë në rajon.
Zëdhënësi i Kremlinit e konsideroi NATO-n një “bllok agresiv të krijuar posaçërisht për konfrontim”. Kjo vjen pasi aleanca ushtarake perëndimore prezantoi planin për të vendosur mbi 300 mijë trupa në gatishmëri të lartë dhe konfirmimit të Rusisë si kërcënimin kryesor për sigurinë. Përpara samitit të liderëve në Madrid, në drejtim të vendeve anëtare u lëshua dhe një paralajmërim serioz.
“Çdo përpjekje për të pushtuar Krimenë do të përbënte një deklaratë lufte kundër Rusisë”, tha zëvendës shefi I këshillit të sigurisë, Dmitri Medvedev.
Ai paralajmëroi së nëse një shtet anëtar do të ndërmerrte një hap të tillë do të çonte në konflikt me të gjithë aleancën ushtarake dhe praktikisht në luftën e tretë botërore.
Medvedev, tha gjithashtu se nëse Finlanda dhe Suedia do ti bashkohen NATO-s, Rusia do të fuqizojë kufijtë dhe do të jetë gati për veprime hakmarrëse që mund të përfshijnë mundësinë e pozicionimit të raketave hipersonike Iskander në kufi.