Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka njoftuar se edhe këtë vit Qeveria Kosovës do të mbulojë koston e policës kufitare për bashkatdhetarët tanë, shkruan Gazeta Enigma.
Tutje ai ka njoftuar se për këtë vit procedurat janë më ndryshe se vitet tjera.
“Mirëpo për dallim nga dy vitet paraprake, kur polica e subvencionuar merrej në pikën kufitare, këtë vit ka ndryshuar procedura”, tha ai.
Sipas tij “procedura vazhdon të jetë e thjeshtë dhe nuk ju merr kohë, e madje mund të evitoni edhe pritjet në kufi kur e bleni online para se të niseni”.
Pasi ta keni blerë policën, ju mund të aplikoni për rimbursim të pagesës në formularin online të Ministrisë së Financave.
Hapi 1: Para se të niseni për në Kosovë, policën kufitare mund ta bleni online përmes linkut: KËTU
Hapi 2: Pasi ta keni blerë policën, ju mund të aplikoni për rimbursim të kostos duke plotësuar këtë formular: KËTU
“Polica mund të blihet edhe fizikisht në pikat kufitare hyrëse, mirëpo, që të mos keni nevojë të prisni në kufi, e të mos shkaktohen kolona, rekomandohet që polica të blihet online para se të niseni për Kosovë”, ka shkruar ai.
Murati tutje ka treguar se “mbështetja vlen për autoveturat për pasagjerë dhe motoçikletat, dhe rimbursimi bëhet për qëndrime deri në 3 muaj brenda vitit kalendarik”.
“PS. Rimbursimi mund të kërkohet për të gjitha policat që keni blerë nga data 1 janar 2022 e këtej, me kusht që periudha e tërësishme e mbulueshmërisë për një automjet të mos kalojë 3 muaj brenda vitit”, thuhet në postimin e tij. /Gazeta Enigma/