Në fshatin Tërnoc të Bujanocit po mbahen për herë të pestë zgjedhjet parlamentare, ku në garë është deputeti shqiptar, Shaip Kamberi.
Deri në këto çaste të drejtën për votë e kanë shfrytëzuar 350 persona, ku vendvotimi është i hapur deri në orën 20:00.
Në lidhje me procesin ka folur edhe kandidati për deputet, Shaip Kamberi, i cili tha se presin të kenë së paku 650 vota në mënyrë që ta ketë të sigurt mandatin, ndonëse i duhen 613 vota.
“Me tempon e deritanishme të daljes së votuesve jemi të kënaqur,ndërsa pasdite presim që të kemi mjaftueshëm njerëz për ta arritur rezultatin e kërkuar”, është shprehur Kamberi.
Ai, tutje tha se edhe sot partia e Ivica Daçiqit, SPS, ka sjellur njerëz nga Beogradi, Kraleva e vende të tjera të Serbisë, por sipas tij, rezistenca e komisionerëve shqiptarë herën e kaluar ka dhënë rezultate dhe sot procesi po vazhdon i qetë.
I pyetur se a pret që në herën e pestë të zgjidhet deputet, Kamberi tha se “si tifoz i Real Madridit, e 5-ta na ka shku sivjet”.