Pacientët e planifikuar për radioterapi nuk mund ta marrin këtë shërbim në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë, njoftoi të mërkurën Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK).
Kjo për shkak të reshjeve të shumta atmosferike, të cilat kanë depërtuar në bodrumin e kësaj klinike, duke e bërë kështu të dal jashtë funksionit gjithë aparaturën e radioterapisë.
“Ekipet e Klinikës së Onkologjisë, bashkë me sektorin teknik dhe atë të pajisjeve mjekësore të SHSKUK-së, kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme duke shkyçur nga puna aparaturën e radioterapisë, me qëllim të parandalimit të pasojave të pa paparashikueshme”, thuhet në njoftim.
Sipas SHSKUK -së, në ndihmë kanë ardhur edhe ekipi zjarrfikësve dhe shërbimeve komunale të cilët kanë asistuar gjatë gjithë kohës.
“Apratura e Radioterapisë për momentin është jashtë funksionit, kurse shërbimet e tjera në Klinikën e Onkologjisë po ofrohen normalisht”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas SHSKUK -së, bazuar në vlerësimin final dhe testimet e nevojshme, Kolegjiumi i Klinikës së Onkologjisë do të dalë me rekomandime, se si do veprohet më tutje me trajtimin e rasteve në radioterapi.
SHSKUK ka bërë të ditur se i ka njoftuar përmes telefonit për ndërprerjen e shërbimeve të radioterapisë të gjithë pacientët që marrin këtë shërbim.
Radio Evropa e Lirë ka bo përpjekje për më shumë informata për numrin e pacientëve që marrin këtë terapi në Onkologji dhe se ku do t’i marrin të njëjtat gjatë kësaj kohe, por kjo klinikë nuk ka dhënë informata shtesë.
Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë, ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera.
Brenda 24 orësh, aty marrin shërbime rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.