Që nga mëngjesi i hershëm Policia është duke e zbatuar urdhrin e Gjykatës dhe Prokurorisë së Ferizajt për bastisjen e disa lokacioneve në qytetin e Shtërpcës.
Lajmin e ka konfirmuar prokurori Rasim Maloku, i cikli ka thënë se janë katër lokacione që po bastisen, ndër to edhe objekti i komunës ilegale në Shtërpcë.
“Ky aksion nuk lidhet direkt me ndërtimet pa leje në Brezovicë por ndërlidhet me disa të arrestuar të Brezovicës pasi që njëri nga ta, përkatësisht ish kryetari i komunës Bratisllav Nikoliq është edhe koordinator i strukturave ilegale e që këto struktura kanë menaxhuar me kamerat e sigurisë që kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe institucionet publike të Republikës së Kosovës e që këto informacione janë përcjellë në strukturat e sigurisë në Serbi”, theksoi Maloku, duke shtuar se sot janë duke u bastisur 4 lokacione.
Ai ka thënë se janë duke u bastisur katër lokacione dhe janë duke u mbledhur dokumentacione për kamerat të cilat kanë qenë të vendosura në ambiente publike.
“Janë duke u bastisur 4 lokacione dhe janë duke u hequr kamerat e sigurisë. Këto struktura ilegale janë kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe konsumojnë elemente të veprës penale “bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese të ndërlidhura për veprën e spiunazhit”, tha Maloku.
Tutje prokurori Maloku për Paparacin ka thënë se deri tani nuk ka të arrestuar dhe nuk pritet që të ketë pasi vetëm janë duke mbledhur prova.