Dy yjet e Paris Saint-Germainit, Lionel Messi dhe Kylian Mbappe, janë përplasur për të ardhmen e Neymarit, raporton të enjten “Mundo Deportivo”. Messi dëshiron që braziliani të qëndrojë në Paris, ndërsa Mbappe beson se do të ishte mirë që Neymar të largohet.
Mbappe së fundi rinovoi kontratën deri në vitin 2025, duke hequr dorë nga transferimi te Real Madridi. Raportohet se vendimi për të qëndruar te Parisi i ka dhënë atij fuqi vendimmarrëse në skuadër.
Është bërë e ditur se Mbappe ka përpiluar një listë të lojtarëve që nuk dëshiron t’i ketë në skuadër për sezonin e ardhshëm. Ndër emrat është edhe Neymari.
Sulmuesi 30-vjeçar i Brazilit me Parisin ka kontratë deri në qershor të vitit 2025. Te kjo skuadër u transferua në vitin 2017 nga Barcelona për 222 milionë euro.