Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e LDK’së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas sulmit ndaj ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe.
Hoti ka thënë se ndjen keqardhje për sulmin ndaj tij, derisa e ka quajtur mik të Kosovës.
“Ndjej keqardhje për sulmin ndaj ish Kryeministrit të Japonisë dhe mikut të Kosovës, Shinzo Abe. Lus zotin që ai t’i mbijetojë këtij sulmi, të shërohet dhe t’i kthehet familjes dhe aktiviteteve të tij. ????”, ka shkruar Hoti.
Tutje, Hoti ka thënë se Kosova i është mirënjohëse përherë atij dhe Japonisë për mbështetjen në fazat më të rëndësishme të konsolidimit të shtetësisë në arenën ndërkombëtare
“Qeverisja e tij ka qenë e jashtëzakonshme, e pranuar ndërkombëtarisht, si për Japoninë ashtu edhe në aspektin global.
Kosova i është mirënjohëse përherë atij dhe Japonisë për mbështetjen në fazat më të rëndësishme të konsolidimit të shtetësisë në arenën ndërkombëtare, për mbështetjen në rindërtimin e Kosovës pas luftës dhe në financimin e shumë projekteve zhvillimore, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal”, ka shkruar Hoti.
Ndryshe, ish-Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, është qëlluar dy herë me armë zjarri derisa po mbante një fjalim në qytetin Nara. E shtëna e dytë e ka goditur në shpinë, duke e rrëzuar përtoke.