Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk duhet të presë një tjetër luftë në Ballkan për t’i hapur rrugë integrimit evropian, siç bëri me Ukrainën me dhënien e statusit të kandidatit për pranim në BE tek pasi nisi pushtimi nga Rusia.
Në kuadër të Forumit të Dubrovnikut të shtunën, Gërvalla ka thënë se tashmë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë dëshmuar se janë kontribuuese të jashtëzakonshme me vlera të përbashkëta në Bashkimin Evropian.
“U diskutua për dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën para se të niste lufta dhe siç kemi parë, ka pasur shumë skeptikë që na thoshin se s’janë gjëra të mundura e se s’ka rrugë të shkurtuar. Më pas erdhi lufta dhe u mor vendimi i duhur që të ndihmohet. Është e rëndësishme që Ukraina ta fitojë këtë luftë. Mirë që ndihmohet jo vetëm me ndihmë politike, por edhe ushtarake e ekonomike. Është me rëndësi të mos pritet një luftë tjetër në Ballkan, duke qenë në gjendje ta përfshijë dhe integrojë këtë rajon evropian në Bashkimin Evropian, sepse është gjë normale për ta bërë”, ka thënë ajo duke shtuar se shtetet e Ballkanit si Kroacia e Sllovenia tashmë kanë dëshmuar me kontributin e tyre në BE vlerat e shteteve të Ballkanit.
Sipas saj, protestat e nisura së fundmi në Shqipëri dhe Maqedoni duhet të shihen me syrin që “tash është koha të veprohet dhe jo vetëm të flitet për integrimin e Ballkanit”.
Gërvalla ka kritikuar Serbinë si shtetin e vetëm të rajonit që s’ka vënë sanksione ndaj Rusisë.
“S’mund të heshtim për faktin se në Ballkanin Perëndimor një nga shtetet s’ka treguar se është pjesë e vlerave të BE-së me solidaritetin për Ukrainën dhe kundër kësaj lufte. Kjo duhet të ndryshojë”, ka thënë Gërvalla duke shtuar se kjo s’mund të ndryshojë përmes fjalëve, por vetëm nëse në Serbi gjenden forcat demokratike që janë të gatshme ta bëjnë Serbinë pjesë të vlerave të BE-së. Në këtë rast, ajo ka thënë se Kosova është pro integrimit të Ballkanit në BE, por të bazuar në merita.
Për dialogun me Serbinë, ministrja e Jashtme e Kosovës ka thënë se Kosova është e interesuar, por se problemi “është që Serbia duhet të jetë në gjendje ta kuptojë realitetin”.