Llapi të enjten do ta ketë një mision të vështirë përballë skuadrës nga Mali i Zi, Buduqnosti në kuadër të ndeshjes kthyese në Ligën e Konfrencës.
Skuadra e udhëhequr nga Tahir Batatina në Podgoricë pësoi humbje me rezultat 2-0, ku nuk u prit mirë nga tifozëria vendase të cilët e sulmuan dhe i fyen në kore raciste skuadrën kosovare.
Për këtë ndeshje pritet që stadiumi “Fadil Vokrri” të jetë i stërmbushur me tifozë nga të gjitha trojet shqiptare në përkrahje të Llapit.
Gazeta Enigma ka kontaktuar kapitenin e kësaj skuadre, Bujar Idrizin i cili ka thënë se janë të përgatitur maksimalisht për ndeshjen e nesërme.
“Jemi të përgatitur maksimalisht dhe shpresojë të dalim me rezultat pozitiv dhe do ta kalojmë këtë ndeshje. E kemi një rezultat shumë të vështirë, por jo të pakthyeshëm”, ka bërë të ditur Bujar Idrizi për Gazetën Enigma.
Kapiteni i Llapit ka thënë se do ta japin atomin e fundit që në fund të dalin krenar nga stadiumi “Fadil Vokrri”
“Ne do të japim atomin e fundit nga vetja e jonë për ndeshje që në fund të dalim me kokën lartë dhe krenar nga stadiumi. Falenderoj tifozërinë Legjendat dhe çdo tifoz që është mobili për me na përkrah në këtë ndeshje”, ka thënë Idrizi i cili i ka falënderuar të gjithë tifozët për mbështetjen që pritet t’ia japin Llapit nesër.
Trajneri Tahir Batatina ka bërë të ditur se deri tani janë shitur 10 mijë bileta për ndeshjen e nesërme.
“Faleminderit gjithë kombit shqiptar për mbështetjen dhe kam një lutje nga gjitha tifogrupet tona shqiptare që të dominoj brohoritja “O sa mirë me qenë shqiptar” Tash po e kuptoj vlerën e luftës kur isha 21 vjeç që po më kthejn emocionet e mëparshme nga lufta.Sapo më njoftuan se 10,000 mijë bileta janë shpërndarë tek kombi shqiptar dhe qytetarët e Kosovës për këtë ndeshje”, ka shkruar trajneri i Llapit, Tahir Batatina.
Llapi – Buduqnosti do të luhet nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në këtë ndeshje drejtësinë do ta ndajë gjyqtari nga norvegjia Mads – Kristoffer Kristoffersen i asistuar nga D. Ëollenberg Rasmussen dhe Martin Markus.