Llapi eliminohet nga Liga e Konferencës përkundër përkrahjes së madhe në stadiumin “Fadil Vokrri”

Llapi eliminohet nga Liga e Konferencës përkundër përkrahjes së madhe në stadiumin “Fadil Vokrri”

Përkrahje të madhe ka pasur Llapi të enjten mbrëma nga tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”. Rreth 11 mijë shikues kanë mbështetur zëshëm Llapin në ndeshjen ndaj Buduqnostit të Podgoricës. Tifozët kanë parë shumë gola, por nuk kanë mundur të festojnë në fund.

Ndeshja e Llapit me skuadrën e njohur nga Mali i Zi, ka përfunduar 2:2. Ky rezultat i ka mundësuar Buduqnostit që të avancoi në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Buduqnosti para një jave në Podgoricë kishte fituar 2:0 dhe me rezultatin e përgjithshëm 4:2, avancon tutje. Ndërkohë Llapi për herë të dytë ndalet në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Vjet ishte ndalur nga Shkupi.

Vendimtare doli ndeshja e parë, në të cilën tifozët e Buduqnostit “Varvari”, kishin fyer e përqeshur shqiptarët me panot e paraqitura. Ata vazhduan me provokime duke e vlerësuar Kosovën pjesë të Serbisë, kur paralajmëruan ardhjen në Prishtinë.

Llapi shfrytëzoi këto zhvillime duke bërë fushatë për të mbushur stadiumin. Në “Fadil Vokrri” të enjten mbrëma ishin disa grupe tifozësh. Shumë prej biletave janë paguar nga biznese dhe persona që kështu vendosën ta ndihmojnë Llapin.

Ka pasur thirrje “UÇK, UÇK”, “Shqipëri etnike”, sharje ndaj Serbisë e këngë të llojit “Besa-besë”. Në tribunat thuajse të stërmbushura, kanë dominuar flamujt e Kosovës, por kishte edhe flamuj kombëtar e po ashtu flamuj kombëtar me shkronjat UÇK. Ka pasur edhe shumë fishkëllima ndaj lojtarëve të Buduqnostit e përkrahje të madhe për lojtarët e Llapit. Kishte po ashtu pak hedhje të mjeteve ndezëse.

Në fushë, ndeshja kishte ritëm të mirë. Llapi kishte iniciativën që nga fillimi, por pa konkretizuar për kohë të gjatë.

Ishin mysafirët nga Podgorica që kaluan në epërsi.

Viktor Gjukanoviq mori top në zonë në minutën e 23-të. Ai me lëvizje mjeshtërore u lirua nga mbrojtësi i Llapit dhe goditi saktë për 1:0. Nuk vonoi dhe Buduqnosti goditi traversën, ndërsa kishte edhe një rast tjetër të mirë.

Ndërkohë Llapi ktheu iniciativën gradualisht, ndërsa në fund të pjesës së parë (45+1’) barazoi rezultatin. Llapjanët fituan penallti, ndërsa nga pika e bardhë i saktë ishte Alef Firmino.

Festa në tribuna ishte e madhe e po ashtu shpresa për sukses.

Por entuziazmi u zbeh shumë në minutën e 64-t, kur Gjukanoviq shënoi golin e dytë. Ai sërish goditi saktë nga zona, këtë herë për rezultatin 2:1.

Llapi ia doli të barazoi shifrat në 2:2 në minutën e 71-të. Rezervisti Albion Kurtaj goditi nga distanca. Topi u devijua dhe përfundoi në rrjetë.

Raste kishte edhe më pas, por jo edhe gola. Madje llapjanët humbën penallti në fund. Gjuajtjen e Festim Alidemës e ndali portieri i Buduqnostit.

Dhe fundi ishte dukshëm më i qetë se fillimi i ndeshjes.

Të dhënat statistikore dëshmojnë dominimin e Llapit në fushë. Vendasit krijuan 12 raste për gol, për dallim nga gjashtë sa i kishte Buduqnosti. Llapi kishte 11 goditje nga këndi, ndërsa Buduqnosti vetëm një. Llapi i kishte gjashtë goditje në kornizë të portës, ndërsa podgoricasit katër.

Në fakt Llapi nuk ka përfituar shumë prej iniciativës fillestare. Lojtrët e trajnerit Tahir Batatina e kanë tepruar me bashkëpunime në zonë dhe kështu rreziku për portën rivale zvogëlohej.

Llapi i bashkohet Gjilanit e Ballkanit që mposhten në Evropë. Ndërkohë Drita ka kaluar pengesën e parë në Ligën e Konferencës. Kampioni, Ballkani, pas ndaljes në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, vazhdon në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Related Articles