Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka njoftuar se është vendosur që në seancat e radhës të Kuvendit do të diskutohet mocioni përmbajtësor i propozuar nga Grupi Parlamentar i VV-së për adresimin e rezolutës e cila do të merret me masat për një dakordim që do duhet të ndërmarr qeveria për ballafaqimin me rritjen e çmimeve në vend.
Kusari Lila bëri të ditur se vazhdimi i seancës është caktuar të mbahet më 21 korrik, ndërsa seanca e re do të jetë menjëherë pas saj.
“Më 21 korrik do të mbahet vazhdimi i seancës, dhe hapet një seancë e re. Seanca e parë do të fillojë në orën 10:00, ndërsa tjetra pas asaj. Si pikë e rendit të ditës është dhe mocioni përmbajtjesor i propozuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje për adresimin e rezolutës e cila do të merret me masat për një dakordim që do duhet të ndërmarr qeveria për ballafaqimin me rritjen e çmimeve”, ka thënë Kusari-Lila.
Deputetja theksoi se në seancë do të ketë edhe debat parlamentar lidhur me mos liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ajo po ashtu tregoi se gjatë mbledhjes së Kryesisë, grupet parlamentare janë dakorduar në parim që të mbështesin mocionin procedural për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Studimin e Fizibilitetit të projekt-idesë, për lidhjen hekurudhore Durrës Prishtinë.
“Ka një dakordim në parim të grupeve parlamentare për mbështetje të mocionit procedural për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit për Studimin e Fizibilitetit të projekt-idesë, për lidhjen hekurudhore Durrës Prishtinë, proces që duhet të miratohet me mocion procedural.
Këto janë pikat e rendit të seancës së Kuvendit të Kosovës që do të mbahet më 21 korrik:
Përgatitjet për Seancën plenare të re të radhës
- Deklarimet jashtë rendit të ditës,
- Pyetjet parlamentare,
- Miratimi i procesverbaleve nga Seancat plenare të mëparshme,
- Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-154 për ratifikimin e “Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe Projekt – Idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë”,
- Shqyrtim i dytë i Projektligjit nr. 08/L-065 për Produktet Biocide,
- Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-120 për Ushqimin,
- Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021,
- Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.a. për vitin 2021,
- Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 12/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës,
- Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 13/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”,
- Ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit,
- Debat parlamentar në lidhje me mos liberalizimi i vizave nga BE-ja për Kosovën.