Kosova s’ka asnjë luftëtarë në Ukrainë, thotë Sveçla

Kosova s’ka asnjë luftëtarë në Ukrainë, thotë Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka mohuar çdo mundësi që ndonjë qytetar i Kosovës të jetë bërë pjesë e luftës në Ukrainë, ashtu siç pretendon Moska zyrtare. Minsitri Sveçla tha për Radio Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë informacion që ndonjë qytetar i Kosovës të jetë duke luftuar si mercenarë në luftën në mes Ukrainës dhe Rusisë, që filloi me 24 shkurt të këtij viti.

Që nga kjo datë, Rusia ka publikuar në disa raste të dhëna për numrin e mercenarëve që sipas saj janë rreshtuar krah forcave ukrainase.

Më 17 qershor, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, publikoi një listë në të cilën pretendon se që nga 24 shkurti, 156 qytetarë nga Kosova i janë bashkuar luftimeve në Ukrainë.

“Ne nuk kemi asnjë informacion se asnjë qytetar i Republikës së Kosovës është pjesë e luftës në Ukrainë e për më pak se edhe paskemi viktima nën ta, ashtu siç paskan pas deklaruar agjencitë e [Vladimir] Putinit”, tha ministri Sveçla.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë me tej pretendon se ka eliminuar 61 luftëtarë nga Kosova nga data 24 shkurt e deri më 17 qershor 2022.

Por, të gjitha këto informacione, sipas ministrit Sveçla, janë propagandë.

“Kjo është në kuadër të propagandës së vazhdueshme të Rusisë me qëllim që të arsyetojë agresionin e saj të padrejtë dhe të paprovokuar në Ukrainë, por edhe që të mobilizojë radhët e veta dhe mbështetësit e saj kundër vendeve demokratike, liridashëse ndër të cilat është edhe Republika e Kosovës”, tha Sveçla.

Ministria ruse e Mbrojtjes, siç raportuan mediat ruse, edhe gjatë korrikut ka publikuar një listë të tillë me shifra të njëjta.

Ministri Sveçla tha se Kosova ka ligj të veçantë përmes së cilit ndalohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftëra jashtë vendit.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Kosova është përmendur disa herë nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, si dhe ministri i jashtëm, Sergei Lavrov.

Lufta në Ukrainë filloi me 24 shkurt kur presidenti rus Putin urdhëroi trupat ushtarake që të futën në territorin ukrainas. Që nga ajo kohë Rusia pretendon se luftës i janë bashkuar rreth shtatëmijë mercenarë të huaj.

Kosova është bërë pjesë e dënimit të pushtimit rus të Ukrainës si dhe është rreshtuar krah shteteve perëndimore duke vendosur sanksione ndaj zyrtarëve dhe shtetit të Rusisë. 

Related Articles