Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për media, derisa ka folur për deklarimet e qeverisë, ku kjo e fundit ka bërë të ditur se do të ndërmerrë masa të reja sa i përket rritjes së çmimeve të produkteve esenciale.
Kryeminisrti i Kosovës, Albin Kurti theksoi se një nga masat që ka theksuar ai është punësimi, në mënyrë që të ketë së paku nga një të punësuar për familje.
Ndërsa, PDK-ja e ka quajtur eksperiment me paranë publike skemën e prezantuar nga Qeveria të hënën, për punësimin e një anëtari për çdo familje në nevojë si dhe subvencionimin e pagave të tyre deri në 70 për qind për gjashtë muaj.
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, përmes një konference e kritikoi këtë, duke thënë se kjo bëhet “në mungesë të aftësisë për të menaxhuar krizën financiare në Kosovë”.
“Papunësia është problem strukturor i ekonomisë së Kosovës dhe nuk mund të adresohet me masa 6 mujore dhe të njëhershme. Sidomos kur ato janë të dizajnuara vetëm sa për të theksuar fraza populiste sikur ajo ‘çdo shtëpi nga një të punësuar’, të bazuara në kritere vështirë të plotësueshme dhe që vetëm sa stimulojnë mashtrimin me paranë publike”.
“Për më tepër, hartimi i masave të tilla pa një vlerësim paraprak të numrit të përfituesve të mundshëm dhe kostos së pritur për buxhetin e shtetit paraqet një menaxhim të papërgjegjshëm të financave publike”, shtoi ai.
Ai theksoi se kërkesa e pamjaftueshme për punëtorë, e cila sipas tij, vjen nga kapacitetet e ulëta të prodhimit vendor si dhe mospërputhja ndërmjet aftësive të kërkuara dhe atyre të ofruara në tregun e punës, janë shkaqet kryesore të papunësisë në Kosovë.
“Për ta adresuar problemin e parë, atë të kërkesës së pamjaftueshme në ekonominë e Kosovës, si nevojë më urgjente është që Qeveria t’i kthehet investimeve publike kapitale, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë më të ulëta se aktualisht”.
“Shkalla realizimit të projekteve kapitale në raport me planin vjetor në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 sillet në vetëm rreth 10 për qind të planit vjetor. Po ashtu, Qeveria e Kosovës duhet të përdorë instrumentet e saj fiskale për të frenuar rritjen e çmimeve dhe të ndërmarrë masat që tani më kemi propozuar për t’i ndihmuar qytetarët me të ardhura fikse që të përballojnë rritjen e çmimeve”, tha ai.