Sipas tij, stërvitjet kanë shkuar mirë dhe La Fiorita është gati për duelin e së martës. Ai ka konfirmuar tri mungesa në ekipin e tij për këtë përballje. La Fiorita dhe Ballkani, takohen të martën në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Ndeshja zhvillohet prej orës 20:45 në stadiumin “San Marino” në Serravalle.
“Tetëdhjetë për qind e lojtarëve do të qëndrojnë me ne gjatë gjithë vitit. Do të mungojnë vetëm Gasperoni, Bartolini dhe Abouzziane. Ne stërvitëm mirë dhe kam shumë besim. Një raund i dytë është gjithmonë sfidues, por mendoj se mund të bëjmë një ndeshje të mirë. Kam parë shumë ndeshje. Ata janë një ekip agresiv, që luajnë shumë lart dhe që e nisin nga fundi aksionin. Një formacion mjaft sulmues. Luajnë kryesisht me 4-3-3 ose 4-2-3-1. Ata janë shumë fizikë dhe të shpejtë, një ekip i mirë”, u shpreh Lasagni.
Ai konfirmoi se loja e ekipit të tij nuk do të ndryshojë dhe do të jetë sulmuese.
“Ne gjithmonë do të adoptojmë qasjen tonë taktike që na ka karakterizuar gjatë gjithë vitit. Ne nuk do të ndryshojmë frymën tonë të lojës dhe për aq sa është e mundur, do të përpiqemi të luajmë një lojë sulmuese”, deklaroi trajneri Lasagni.
Kapiteni Danilo Rinaldi, autori i golit që i dërgoi La Fioritan në finale të turneut parakualfikues të Ligës së Kampionëve, ka thënë se e kanë harruar eliminim nga Championsi dhe se janë fokusuar te ndeshja e radhës.
Ai e pranon se raundi i dytë është më i vështirë se sa parakualifikimet.
“Zhgënjimi ka kaluar, por keqardhja mbetet. Ne humbëm shansin për të kaluar në Ligën e Kampionëve. Tani nisemi për ndeshjen e radhës, të vetëdijshëm se niveli rritet në raundin e dytë. Jemi energjikë, skuadra është stërvitur mirë dhe ende dëshiron të kalojë tutje në garat evropiane. Ka pasur disa ndryshime në skuadër, por kushdo që ka ardhur është vënë plotësisht në dispozicion. Kemi punuar mirë”, tha Rinaldi.