Shefi i kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, Genc Nimoni ka folur në T7 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Nimoni tregoi se kjo byro është institucion i pavarur që do të jetë kompetente vetëm për inicimin e rastit, i cili do të shkojë në gjykatë dhe më pas Gjykata vendos nëse kjo pasuri nuk mund të justifikohet.
Ai tha pasuri e pajustifikueshme është kur dyshohet që ajo pasuri është krijuar pa bazë ose në bazë të kundërligjshme.
“Kjo byro është për persona publikë, për persona të tretë që i kanë ndërlidhshmëritë me personat publikë, të gjithë ata që mbi këtë bazë të korrupsionit, kundër ligjshmërisë, kanë krijuar këtë pasuri e cila ka qenë një formë e korrupsionit dhe keqmenaxhimit me paranë publike”, tha Nimoni .
Ai tha se nëse dikush ka informacione për dikë se ka pasuri të pajustifikueshme, duhet ta dërgojë një ankesë.
“Në byro janë disa kritere dhe në bazë të tyre e shohin nëse ka bazë. Në qoftë se ka bazë, hartohet një kërkesë fillestare për verifikim. Një bazë është mospërputhja e deklarimit të pasurisë, pastaj përpilohet kjo në bazën e dëshmive të ofruara dhe zyrtarët kanë të drejtë të kërkojnë informacione shtesë nga institucionet. Ndërsa subjekti ka të drejtë të njoftohet, e çon dokumentacionin, pastaj ka të drejtë të përgjigjet në atë ankesë. Pas këtyre, kur të ndërtohet lënda, mbi këtë bazë, shkon tutje në gjykatë”, tha Nimoni.