Presidenti në largim i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe të tjerët të cilët po mbahen në Hagë, do ta mbrojnë me shumë dinjitet luftën e drejt të Kosovës.
Ai poashtu uroj që ish-krerët e UÇK-së të rikthehen sa më shpejt në Kosovë.
“Unë shpreh bindjen time të plotë dhe të palëkundur që kam pasur edhe në raste të ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së të cilët kanë fituar pafajësi dhe i kanë provuar gjithë botës drejtësinë e kësaj lufte çlirimtare se edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe drejtues të tjerë, do ta mbrojnë me shumë dinjitet këtë luftë të drejtë të popullit të Kosovës, dhe Kosova e Shqipëria duhet të bëjnë gjithçka në mbështetje të kësaj beteje dhe uroj e shpresoj që shumë shpejt ata të rikthehen në Kosovë”.
Meta tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinohen çdo ditë me njëra-tjetrën dhe tha se është detyrë për t’ia ruajtur shpinën njëra-tjetrës.
“Shqipëria dhe Kosova duhet të koordinohen çdo ditë me njëra-tjetrën sepse nuk është thjesht çështja e një procesi kundër drejtuesve të UÇK-së, ai është një proces kundër shtetësisë së Kosovës, kundër pavarësisë, kundër forcimit të pozitës së brendshme dhe ndërkombëtare të Kosovës dhe ne duhet të koordinojmë çdo ditë që shtetësia e Kosovës të forcohet akoma më shumë, dhe kemi shumë punë për të bërë në këtë çështje në të ardhmen. E kemi detyrë, të paktën shpinën njëra-tjetrës t’ia ruajmë në çdo sekond”, u shpreh Meta