Çfarë ndodh me fatin e Gjykatës Speciale nëse miratohet Rezoluta e Shqipërisë në KE?

Çfarë ndodh me fatin e Gjykatës Speciale nëse miratohet Rezoluta e Shqipërisë në KE?

Të enjten Kuvendi i Shqipërisë, ka diskutuar për projektrezolutën “Mbi bazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë dhe në Shqipëri“.

Më 18 korrik PS propozoi në Kuvendin e Shqipërisë një “Rezolutë” dhe tekstin e rezolutës me të cilën Shqipëria do të hedhë poshtë pretendimet për trafikim organesh.

Ndërsa në tekstin e projekt rezolutës që pritet t’i propozohet ligjvënëseve shqiptarë thuhet se hetimet e thelluara rreth pohimeve të Dick Martyt për trafikim organesh mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara prandaj theksohet se të tilla duhet të konsiderohen edhe nga ndërkombëtarët.

Lidhur me këtë çështje Gazeta Enigma, ka kontaktuar me drejtorin ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

Sipas tij kjo rezolutë në aspektin juridik nuk paraqet asnjë pasojë.

“Rezoluta e inicuar nga Republika e Shqipërisë, lidhur me raportin e Dick Martty, në aspektin politik dhe diplomatik mund të kontestohet besueshmeria e vet raportit të miratuar nga Asambleja e Pwrgjithshme, por që në aspektin juridik nuk mund të prodhoj asnjë pasojë”, u shpreh Miftaraj.

Miftaraj theksoi se edhe pse Kosova ka formuar Gjykatën Speciale dhe ka miratuar ligj të veçantë për këtë, në rast se miratohet nga Shqipëria, ato nuk shfuqizohen.

“Si rezultat i kësaj, Kosova ka marr një obligim ndërkombëtarë si është formimi i Gjykatës Speciale dhe për këtë ka amandamentuar Kushtetutën dhe ka miratuar ligj të veçantë dhe të gjitha këto nuk mund të zhbëhen apo shfuqizohen edhe nëse rezoluta e propozuar nga Shqipëria miratohet”, përfundoi Miftaraj.

Pas miratimit të rezolutës kundër Dick Martyt, në Kuvendin e Shqipërisë, ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri Rama, ka falenderuar deputetët që e votuan dhe tha se duhet t’i thonë asamblesë së përgjithshme (Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës) që “rrëzoje këtë raport tani”.

“Jo sepse themi ne, por sepse e treguan të gjitha hetimet që ky raport është i pabazë. Me këtë duhet të merremi ne nëse vërtetë duam të merremi me mbrojtjen e krenarisë kombëtare dhe dinjitetit kombëtar”, u shpreh Rama.

Kurse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se miratimi i Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë e cila i adresohet Këshillit të Evropës mbi pabazueshmërinë e pretendimeve të përfshira në raportin e ish-senatorit Dick Marty është e mirëseardhur.

“Rezolutat janë të mirëseardhura dhe shprehin vullnetet politike të parlamenteve përkatëse. Mirëpo, ekziston një parim bazik juridik që një akt qoftë rezolutë apo akt tjetër juridik ose politik kështu që natyrisht Kuvendi i Shqipërisë ka shprehur atë që secili shqiptarë në Kosovë e Shqipëri apo kudo qoftë ka thënë deri sot që lufta çlirimtare e Kosovës, lufta çlirimtare e UÇK-së nuk mund të zhbëhet nga askush sepse historinë nuk do të mund ta ndryshojë askush pavarësisht përpjekjeve”.

“Dick Marty ka tentuar të shtrembëroj të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë, një luftë gjenocidale e Serbisë kundër popullit të Kosovës, por përgjigjen e ka marrë edhe nga vet prokurorë të Speciales. Serbia edhe sot vazhdon që të përgatisë lloj-lloj komplotesh e lloj-lloj sulmesh siç kanë tentuar kundër vetë Martyt që ta fajësonte më pas Kosovën, të gjitha këto vërteta ne i themi në çdo cep të botës”, është shprehur Osmani.

Ç’përmbanë raporti i Dick Marty-t?

Raporti i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.

Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.

Kjo, në vitin 2015, ka çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Kujtojmë se rezoluta kundër raportit të Dick Marty-t u miratua gjatë seancës së djeshme në Kuvendin e Shqipërisë me 125 vota pro dhe asnjë kundër. / GazetaEnigma

Related Articles