Një ekip i mjekëve në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, kanë kryer një operacion të veçantë ditë më parë dhe sipas këtij institucioni, me sukses.
Sipas njoftimit të spitalit, bërë të martën, një gruaje 39-vjeçare i është larguar tumori me peshë 10 kilogramë.
“Pacientja e diagnostikuar me tumor të vezorëve për më shumë se 1 vit ka kërkuar shërim në shumë institucione shëndetësore publike e private, por asnjë nga to nuk ka marrë përsipër të kryejë intervenimin kirurgjikal për shkak të vlerësimit se tumori është i paevitueshëm”, thuhet në njoftim.
Për operim të pacientes u vendos në momentet kur asaj iu vështirësua frymëmarrja dhe iu shfaqën një sërë problemesh.
“Duke parë gjendjen e pacientes që tumori i shkaktonte probleme të tjera shëndetësore si tromboza në pjesën e ekstremiteteve të poshtme, probleme në organet e tretjes, presion në mushkëri duke i shkaktuar probleme me frymëmarrje dhe probleme me organe të tjera në pjesën abdominale, në konsultim me familjarët e pacientes, mjeku që trajtoi rastin Dr. Rifat Dreshaj, pas konsultimeve edhe me mjekët e tjerë, vendosën që të bëjnë përpjekjen e fundit për këtë paciente, që ishte intervenimi kirurgjik”, thuhet në njoftim.
Në këtë intervenim morën pjesë: Dr. Rifat Dreshaj – kirurg; Dr. Ramadan Daci – gjinekolog obstetër; Dr. Gëzim Devolli – kirurg dhe; Dr. Besim Kastrati – anasteziolog.
“Operimi është kryer më 19.07.2022 dhe pacientja është ende në kurim në Repartin e Kirurgjisë dhe gjendja e saj është e mirë”, thuhet në njoftim.