Presidentja Osmani: Marrëveshja me MCC konfirmoi partneritetin e jashtëzakonshëm mes Kosovës dhe ShBA-së

Presidentja Osmani: Marrëveshja me MCC konfirmoi partneritetin e jashtëzakonshëm mes Kosovës dhe ShBA-së

Presidentja E Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas nënshkrimit të marrëveshjes 236 milionëshe me MCC-në.

Osmani përmes një postimi në Facebook, ka thënë që nënshkrimi i kësaj marrëveshje përbën investimin më të madh në sektorin e energjisë në Kosovë pas disa dekadash.

“Në Kongresin e SHBA-ve, në prani të një numri të madh të miqve të Kosovës, u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në për Progamin e Kompaktit. Kjo marrëveshje, në shumë prej 236.7 milion dollarë, përbën investimin më të madh në sektorin e energjisë në Kosovë pas disa dekadash”, ka shkruar ajo.

Presidentja shtoi se “këto projekte do të kontribuojnë në garantimin e stabilitetit dhe fleksibilitetit të sistemit energjetik të Kosovës gjersa përgatitemi për tranzicionin energjetik dhe integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë”.

“Ky investim do të garanatojë po ashtu një të ardhme energjetike ku gratë do të kenë rol kyç dhe do të jenë kontribuese aktive në adresimin e sfidave të së ardhmes në fushën e energjisë. Kjo marrëveshje konfirmoi edhe njëherë atë që dihet tashmë botërisht, partneritetin e jashtëzakonshëm e unik në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Faleminderit të gjithëve për punën e jashtëzakonshme!”, shkroi Osmani.

Related Articles