Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli janë pritur në takim nga Ndihmës Sekretari i Energjisë, Andrew Light në Departamentin e Energjisë të ShBA-ve.
Në njoftimin e lëshuar nga Qeveria thuhet se Kurti theksoi që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëllime dhe prioritete të përbashkëta për një sektor të pastër dhe efiçient të energjisë.
Ndihmës Sekretari Light është shprehur tejet i lumtur për të vazhduar partneritetin e ngushtë me Kosovën në sektor të energjisë, sektor ky ku synimet e dy shteteve janë të përbashkëta.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës sa i përket zhvillimit të sektorit të energjisë, veçanërisht përmes agjencive zhvillimore si USAID dhe MCC.