Futbolli shqiptar është në një humnerë që nuk ka fund… Presim kompeticionet verore çdo vit dhe çdo vit kthehemi me kocka të thyera! E nëse kampionia e Shqipërisë, Tirana, në 4 ndeshje mes Champions dhe Conference League, pëson 4 humbje radhazi, duhen ngritur disa pyetje…
Pyetje që askush nuk i bën, sepse jemi mësuar me mediokritetin dhe nuk na bën përshtypje asgjë më, por thjesht “vegjetojmë” duke pritur mrekullinë e cila nuk vjen, sepse të tjerët punojnë dhe madje përmirësohen.
Dhe për të tjerë nuk flasim për kampionatet e mëdha, por Maltë, Gjibraltar dhe Luksemburg, që sigurisht na ka kaluar me kohë tashmë…
Eliminohen Tirana, Partizani, Laçi dhe Vllaznia. Në turin tjetër askush nuk do të marrë pjesë në kompeticionet UEFA dhe mjaftohen me ato para që shërbejnë sa për 1/3 e buxhetit vjetor! Mjafton kaq, ose më saktë, kaq është hapi!
Në anën tjetër, ecin përpara dy ekipe të Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës dhe Shkupi, në turet e treta të Conferencë dhe Europa League. Ndërkohë, në garë për Conferencë League mbetet edhe Ballkani nga Kosova por janë eliminuar Drita, Gjilani dhe Llapi.