Të shtunën ka përfunduar Kampi Nacional i Basketbollit, që filloi më 25 korrik.
Ky kamp organizohet nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), ndërsa kanë marrë pjesë 24 djem dhe po aq vajza të lindura në vitet 2009-2010. Kampi është mbajtur në “Loyola Gymnasium”, që ka mbështetur kampin.
Basketbollistët/et nën udhëheqjen e trajnerëve kanë punuar pandërprerë nga dita e hënë, nga dy-tri herë në ditë.
Synimi i këtij kampi është zhvillimi i gjeneratave të reja, që më vonë do të jenë pjesë e Përfaqësueseve të Kosovës dhe do të jenë e ardhmja e basketbollit.
Kampi organizohet çdo vit nga Federata e Basketbollit e Kosovës, që ju kushton mjaft rëndësi gjeneratave të reja në të dyja konkurrencat.
Drejtori Teknik i FBK-së, Arben Krasniqi, njëherësh përgjegjës për kampin, çdo ditë ka parë nga afër punën që po bëhet dhe lojtarët/et që do të jenë e ardhmja e basketbollit. Ai ka vlerësuar se ky kamp është shumë i nevojshëm për zhvillimin e gjeneratave të reja, ndërsa ka kaluar pa probleme dhe ku fëmijët kanë mundur të stërviten dhe punojnë në mënyrë profesionale.