Gjashtë persona dyshohet se janë sulmuar fizikisht dje nga serbët të cilët kishin ngritur barrikada në veri të vendit, për të kundërshtuar zbatimin e masës së reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet dhe targat.
Sipas raportit 24 orësh të policisë thuhet se në Leshak të Leposaviqit, rreth orës 17:20, dy burra dhe një grua derisa ishin në veturën e tyre në drejtim të kufirit Kosovë-Serbi, janë sulmuar nga persona të dyshuar të cilët kishin vendosur barrikada.
Automjeti ishte me targa të huaja, viktimat kanë pranuar tretman mjekësor,lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti është nën hetime.
Tutje, thuhet se tre persona të tjerë janë sulmuar fizikisht në Jarinje nga disa persona të armatosur, derisa ishin duke lëvizur me kamion me targa vendore në drejtim të kufirit Kosovë-Serbi.
Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti nën hetime.