Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është bashkuar protestës para Ministrisë së Brendshme për vrasjen e 7-vjeçares Jonada Avdia.
Berisha kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi. Madje sipas kreut të PD, Çuçi duhet ta kishte dhënë më parë dorëheqjen.
“Në qelinë e komisariatit të Kavajës u var njeriu që u mor brenda 2 orëve në komisariat se u akuzua për një derë. Ky tjetri firmos për të vjedh 420 milionë dhe nuk i ndodh asgjë, kurse atë e morën për ta akuzuar për një derë ku nuk u morr vesh se e mori apo nuk e mori. Doli i vdekur nga komisariati. Çuçi duhet të jepte dorëheqjen, janë raste të tjera plot. Rasti i të ndjerit, i riu në Durrës që u mbyt sepse nuk kishte asnjë roje bregdetare. Mediat bëjnë të ditur se nuk ka asnjë roje bregdetare nga Velipoja në Ksamil”.
“Kështu është në kodin e qeverisjes dhe qeverive. Përgjegjësia në këtë rast, e vërteta është që është ligjore dhe morale, por edhe nëse nuk do kishte përgjegjësi ligjore, përgjegjësia morale e detyron ministrin të largohet nga detyra. Kërkohet që ministri të ketë minimumin e moralit gjë që ai nuk e ka”, është shprehur Berisha.
Berisha shoqërohej nga Luçiano Boçi, Flamur Noka, Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi.