Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, duke kritikuar mos rishikimin e buxhetit për vitin 2022.
Hoti përmes këtij postimi ka shkruar se shpenzimet kaptiale në gjashtë muajt e parë të vitit janë në nivelin më të ulët historik, me vetëm 11% realizim.
“Mazhoranca qeverisëse e prezantoi si arritje numrin e ligjeve të miratuara në Kuvend. Por nuk e përmendi faktin se njëri ndër ligjet më të rëndësishme, që është rishikimi i buxhetit për 2022, nuk është dorëzuar në Kuvend nga Qeveria. Shpenzimet kaptiale në gjashtë muajt e parë të vitit janë në nivelin më të ulët historik, me vetëm 11% realizim”.
”Prandaj, ka qenë e domosdoshme të rishikohet buxheti për ta rishpërndarë në projekte që mund të realizohen. Me këtë dinamikë shumë të ulët të realizimit të buxhetit në gjashtë muajt e parë, dhe në mungesë të rishikimit të buxhetit, është e sigurt se zbatimi i projekteve kapitale sivjet do të jetë shumë i ulët. Kjo do të nënkuptojë qindra miliona mungesë në qarkullimin ekonomik në vend, që do të ndikojë negativisht rritjen ekonomike, punësimin dhe të ardhurat e përgjithshme”, ka shkruar Hoti.