Muja ende nuk është i gatshëm për debutim tek Antwerpi

Muja ende nuk është i gatshëm për debutim tek Antwerpi

Arbnor Muja nuk është përfshirë në ekip tek Antwerpi për ndeshjen kundër Lillestromit, që i takon raundin të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Antwerpi, të enjten, prej orës 19:30 në Belgjikë, e pret Lillestromin në ndeshjen e kthimit.

Dueli i parë ndërmjet këtyre dy skuadrave i luajtur javën e shkuar në Norvegji është mbyllur me fitoren 3:1 të Antwerpit.

Muja nuk është përfshirë në ekip për këtë ndeshje, pasi ende nuk ka të drejtë loje në garat e UEFA-s, ndërsa trajneri i Antwerpit, Mark Van Bommel, ka thënë se sulmuesit kosovar i duhen edhe disa stërvitje për të qenë i gatshëm për debutim.

Van Bommel në konferencën për shtyp të mërkurën, ka pranuar se Muja ka gjasa të ftohet për ndeshjen kampionale, që Antwerpi e luan të dielën në udhëtim tek Eupeni. Sulmuesi i krahut, të martën e ka mbajtur stërvitjen e parë me ekipin e ri. Ai te skuadra belge u transferua javën e shkuar nga Drita dhe me Antwerpin firmosi kontratë trevjeçare me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Muja tek Antwerpi do ta bartë fanellën me numrin 11.

“Do të doja që Muja, Ekkelenkamp dhe Avila t’i luanin disa minuta, por ata ende nuk kanë të drejtë të luajnë në Evropë. Muja ende nuk e ka përfunduar një stërvitje të plotë me grupin dhe i duhet edhe pak kohë që të jetë gati”, është shprehur Van Bommel. “Ne luajmë aq shumë ndeshje, saqë është e pamundur të organizojmë miqësore për lojtarët e rinj që të kenë minuta. Muja nuk është larg me minuta dhe besoj se së shpejti do të jetë i gatshëm”.

Megjithatë, Muja ka gjasa këtë vikend të debutojë në kampionatin belg. Dueli i Antwerpit me Eupenin i takon xhiros së katërt. Aktualisht, Antwerpi është lider me nëntë pikë të tubuara pas tri ndeshjeve të luajtura.

“Pas Lillestromit, i kthehemi përzgjedhjes prej 18 lojtarëve për ndeshjen kampionale. Muja, por edhe dy përforcimet e tjera mund të kenë minuta, por ndoshta jo prej fillimit”, ka pranuar Van Bommel. “Ata po bëhen gati dhe fillimisht duhet të jenë në formën më të mirë fizike, pasi niveli i stërvitjeve është i lartë. Ky është adaptim tradicional për çdo lojtar”.

Antwerpi e transferoi Mujën pasi e eliminoi Dritën në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Dueli i parë në Belgjikë u mbyll pa gola, kurse në të kthimit që u luajt në Prishtinë, Antwerpi triumfoi me shifrat 2:0. Në të dyja ndeshjet, Muja ishte ndër lojtarët më të dalluar tek ekipi kosovar. Nëse Antwerpi e eliminon Lillestromin, atëherë do të avancojë në fazën e plejofit dhe do të jetë vetëm dy ndeshje larg kualifikimit në fazën e grupeve të Ligës së Evropës për këtë sezon.

Van Bommel ka thënë se është i kënaqur me punën e drejtorit sportiv të klubit, Marc Overmars, që e ka bërë deri më tani, sa u përket përforcimeve.

“Ka bërë një punë të mirë, është me rëndësi të kemi një ekip të mirë për shkak se synimet janë të mëdha”, është shprehur Van Bommel, i cili ka marrë drejtimin e Antwerpit para fillimit të këtij sezoni. Ai si trajner ka punuar edhe te Wolfsburgu në Gjermani dhe PSV Eindhoveni në Holandë.

Related Articles