Në ndeshjen e tretë me Zuerichun, Donis Avdijaj ka shpërthyer me dy gola. Avdijaj të enjten mbrëma ishte vendimtar në fitoren 3:0 të Zuerichut ndaj Linfieldit të Irlandës së Veriut. Ishte ndeshja e kthimit e rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës.
Ndeshjen e parë në Belfast, kampioni i Zvicrës e kishte fituar 2:0. Kështu me rezultatin e përgjithshëm 5:0 avancon në raundin e plejofit. Avdijaj 25-vjeçar, startoi te Zuerichu. Për 1:0 shënoi në minutën e 11-të. Për 2:0 ish-reprezentuesi i Kosovës realizoi në minutën e 26-të. Ai pas pjesës së parë la vendin në fushë për Bledian Krasniqin. Te Zuerichu startuan Mirlind Kryeziu, Lindrit Kamberi e Fidan Aliti, që formuan vijën e mbrojtjes.
Kamberi u ndëshkua me karton të verdhë. Prej minutës së 74-t luajti edhe Blerim Xhemaili. Zuerichut po i ec mirë në Evropë, por në kampionat po ka telashe të mëdha. Në plejof ka kaluar edhe HJK Helsinki i Finlandës. HJK fitoi 1:0 ndaj Mariborit slloven, ndërsa ndeshjen e parë e kishte fituar 2:0. Të enjten, Përparim Hetemaj luajti prej minutës së 70-të për Helsinkin.