Në Kosovë ka nisur një fushatë me kërkesën për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ i cili e ndalon bartjen e shamisë në shkolla.
Hashtagu #ndryshojeni_ua_për_shaminë është bërë viral në rrjetet sociale.
Sipas organizatorit të kësaj inciative, Liridon Kurti, duke përfshirë rrjetet sociale Facebook, Twitter, Instagram e Linked In, deri tani janë bërë 500 mijë “engagments”, raporton Gazeta Enigma.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka folur për inicimin e kësaj kampanje të qytetarëve për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ të para 12 vitesh për ndalimin e mbulesës në shkolla.
Kurti u shpreh se këtë çështje është duke e përcjellur Ministria e Arsimit dhe sipas tij, Projektligjin për Liritë Fetare do ta dërgojnë në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim.
“Sa i përket atij Udhëzimi administrativ, Ministria e Arsimit është duke e përcjell me vëmendje shqetësimin e disa qytetarëve që e kanë nisur një fushatë për ndryshimin e projektligjit administrativ. Ne do ta kemi edhe Projektligjin për Liritë Fetare, për komunitetet fetare në Kosovë, të cilën do ta sjellim në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Kurti gjithashtu u shpreh se nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve tjera fetare në jetën publike të qytetarëve nga mosha 16 vjeçare.
“Por qëndrimin tim e kam thënë para shumë viteve. Nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, duhet të jenë të lirë. Mosha 16 vjeçare është pragu, e në moshën 16 vjeçare shumë gjëra kanë ndodhur por të cilat edhe do duhej të ndodhin. Meqë mund ta marrësh kartën e identitetit në moshën 16 vjeçare dhe sistemi e mundëson me një procedurë dhe të lidhësh kurorë në moshën 16 vjeçare”, ka thënë Kurti.
Lidhur me këtë çështje Gazeta Enigma, ka kontaktuar me organizatorët e kësaj kampanje, Liridon Kurtin dhe Durim Berishën.
Liridon Kurti për Enigmën, tha se e mirëpresin vendimin e Kurtit dhe presin që Qeveria të largojë sa më shpejtë Udhëzimin Administrativ.
“Presim që së shpejti Qeveria të reflektojë dhe ta largojë Udhëzimin Administrativ dhe kufizimet e tilla të bëhen nëpërmjet ligjit”, u shpreh organizatori Kurti.
Kurse Durim Berisha, organizator i kësaj kampanje tha se deklarata e sotme e Kurtit merr kuptim atëherë kur Ministria e Arsimit e ndryshon Udhëzimin Administrativ nr.06/2014.
“Deklarata e sotme e kryeministrit Kurti, është e mirëseardhur, mirëpo kjo deklaratë merr kuptim vetëm atëherë kur Ministria e Arsimit e ndryshon Udhëzimin Administrativ nr.06/2014”, deklaroi Berisha për Enigmën.
Ndër të tjera njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, tha për Enigmën se Udhëzimi Administrativ që mkufizon mbajtjen e shamisë në shkolla cenon shkollimin e nxënësve.
“Udhëzimi i Aministrativ që kufizon mbajtjen e shamisë në shkolla të mesme të larta cenon këto të larta dhe padrejtësisht mund të kufizoj shkollimin e nxënësve. Deri më tani përkundër këtij kufizimi komuniteti i shkollave kanë treguar një vetëdijësim të lart duke mos cenuar askujt të drejtën e shkollimit”, përfundoi Qehaja për Enigmën. /GazetaEnigma/