Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur pas takimit që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Stoltenberg ka thënë se temë e takimit kanë qenë tensionet e fundit në veri të Kosovës.
Ai tha se situata është përmirësuar, mirëpo në çdo eventualitet, KFOR-i është brenda mandatit të vet dhe është gati të intervenojë.
“Ne folëm më herët këtë muaj për tensionet në veri dhe vlerësoj faktin që u takuam sot për të vazhduar diskutimet. Përderisa situata është përmirësuar, është përgjegjësi e zyrtarëve në Prishtinë dhe Beograd që të shmangin eskalimin. KFOR-i vazhdon të jetë i fokusuar në mandatin e vet dhe është gati të intervenojë e marrë masa që të sigurojë një mjedis të qetë dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët. Dialogu është e vetmja e zgjidhje. Mirëpres raundin e ri të dialogut që fillon nesër dhe bëj thirrje tek palët që të jenë konstruktive”, tha ai.
Pas pak, shefi i NATO-s do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Stoltenberg në konference të përbashkët që patën me Vuçiqin pas takimi që mbajtën në Bruksel, tha se KFOR do të sigurojë paqen dhe sigurinë në Kosovë.
“U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i ulin tensionet. KFOR do të marrë çdo masë të nevojshme në mënyrë që të sigurojë paqen, sigurinë dhe lëvizjen e të gjithë qytetarëve në Kosovë”.
“I inkurajoj të gjitha palët që të angazhohen dhe të tregojnë fleksibilitet”, tha shefi i NATO-s.