Kompania energjetike e Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije) është themeluese e katër kompanive nga Kosova, por aktualisht asnjëra prej tyre nuk e kryen aktivitetin për të cilin është themeluar.
Në këto kompani janë të punësuar rreth 3.300 punëtorë dhe EPS-ja ka ndarë rreth 42 milionë euro për punën e tyre në vitin 2021.
Në një raport për problemet në sektorin energjetik në Serbi në korrik të vitit 2022, Këshilli Fiskal i Serbisë deklaroi se EPS-ja vetëm i “mbështet” ata punëtorë, pasi nuk ka kontroll mbi asetet dhe operacionet e kompanive nga Kosova.
E vetmja kompani që ka licencë për të punuar në Kosovë është “Elektrosever”, e cila ende nuk është funksionale.
Kompania “Elektrosever” është kompania më e re e EPS-së në Kosovë. Ajo është themeluar në vitin 2016 me qëllim të furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Ndryshe, që nga viti 1999, banorët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, nuk i kanë paguar faturat për energjinë e konsumuar. Sipas të dhënave të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), humbjet vetëm për vitin 2021 arritën shumën prej 40 milionë eurosh.
Që nga viti 2017, sipas autoriteteve të Kosovës, borxhet për energji elektrike janë mbuluar nga KOSTT, gjegjësisht Qeveria e Kosovës. Deri atëherë, borxhin për veriun e paguanin paushall qytetarët e Kosovës nga komunat tjera në jug të Ibrit, kështu që faturat e tyre ishin më të larta për 3.5 për qind, por u konstatua se kjo praktikë ishte e kundërligjshme.
Themelimi i “Elektrosever” ishte paraparë me Marrëveshjen për Energjinë të vitit 2013 dhe 2015 ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe kompania është themeluar në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.
Kosova dhe Serbia më 21 qershor të vitit 2022 në Bruksel kanë miratuar udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes. Në bazë të asaj marrëveshjeje, më 24 qershor, Zyra e Rregullatorit për Energji të Kosovës (ZRRE) i ka lëshuar licencën për furnizim kompanisë “Elektrosever”.
Mirëpo, siç ka raportuar REL në korrik, “Elektrosever” ende nuk i ka ofruar Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe KOSTT-it të dhënat që ka në dispozicion për konsumatorët në veri të Kosovës.
“Elektrosever” gjithashtu nuk i ka nënshkruar ende marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in, për të operuar në tregun për energji të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një intervistë për REL në gusht tha se kjo tregon se Serbia nuk i respekton obligimet e saj.
“I kemi pasur dy javë për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që ta bëjë licencimin e kompanisë në veri. E ka bërë për dy ditë. Ndërkaq edhe sot, pas shumë e shumë javëve, që është dashur të na dorëzohet regjistri i fundit i konsumatorëve në veri, Serbia nuk e ka bërë”, deklaroi Kurti.
EPS-ja nuk i ka kthyer përgjigje REL-it nëse “Elektrosever” ka nisur punën dhe se kur do të dorëzojë të dhënat e nevojshme dhe të nënshkruajë marrëveshje me institucionet e Kosovës.
Kurti po ashtu tha në intervistën për REL-in se situata është shqetësuese pasi Kosova nuk ka mundësi të paguajë faturat për veriun e Kosovës gjatë dimrit të ardhshëm.
“Unë e di që nëse do ta shkëputnim veriun e Kosovës në Mitrovicë, në kuptimin e furnizimit me energji elektrike, menjëherë do të fillonte fushata për krizën humanitare në veri”, tha ai.
Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë parasheh që “Elektrosever” të marrë përgjegjësitë e “Elektrokosmet”, një tjetër kompani që funksionon në kuadër të kompanisë energjetike të Serbisë.
“Elektrosever” është e regjistruar në të njëjtën adresë në Mitrovicën e Veriut në Kosovë, si seli e përkohshme e “Elektrokosmet”, kompani e cila ekziston që nga viti 1989.
“Elektrokosmet” dhe EPS-ja nuk i janë përgjigjur pyetjes së REL-it nëse planifikohet mbyllja pasi “Elektrosever” të marrë përgjegjësitë e asaj kompanie.
Sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, punëtorët e “Elektrokosmet” ose do të punësohen në kompaninë e re, ose mund t’u ofrohet punësim në KEDS.
Kjo kompani në vitin 1999, pas luftës në Kosovë, siç pretendohet në raportin vjetor të biznesit të vitit 2021, ka humbur kontrollin mbi kapacitetet e saj energjetike në Kosovë, përveç në veri.
Në fund të vitit 2009, kompania [“Elektrokosmet”] filloi leximin dhe dërgimin e faturave të energjisë elektrike në veri të Kosovës, të cilat autoritetet kosovare i konsiderojnë të paligjshme për shkak se kjo kompani nuk ka licencë për t’u angazhuar në këtë aktivitet. Prandaj qytetarët e veriut të Kosovës nuk ishin të obliguar t’i paguanin ato.
Në raportin e kompanisë mund të gjenden edhe informacione se nga viti 2020 “Elektrokosmet” do të furnizojë vetëm komunitetin lokal të Leshakut dhe Trepçës në Leposaviq, që përbën rreth 13 për qind të sipërfaqes së pjesës veriore të Kosovës, ku popullsia furnizohet me energji elektrike.
Që atëherë, kompania nuk ka lëshuar as faturat e energjisë elektrike, pasi siç pretendojnë në raport, që nga ai vit energjia nuk merret më nga sistemi i EPS-ot, por nga KOSTT-i.
Nga viti 2020, KOSTT-i punon në mënyrë të pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës.
Kompania “Elektrokosmet” edhe pse është e regjistruar për dërgimin dhe faturimin e energjisë elektrike, në raport theksohet se pjesën më të madhe të të ardhurave nuk e realizojnë në këtë mënyrë, por duke ofruar shërbime për sektorë të caktuar të EPS-së.
Kompania ka 464 punonjës dhe në vitin 2021 ka funksionuar me një humbje prej 6.8 milionë eurosh.
Përveç “Elektrokosmet-it”, EPS-ja është themeluese e dy kompanive të tjera nga Kosova që nuk janë marrë me aktivitetin për të cilin janë themeluar me dekada dhe po operojnë me humbje. Selia e tyre është në Beograd.
Që nga viti 1999, kompania publike Termocentrali “Kosova” nuk operon në territorin e Kosovës dhe nuk ka kontroll mbi termocentralet në këtë shtet.
Ndonëse është e regjistruar për aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike, kjo kompani ka më shumë se 700 punonjës të cilët, siç thuhet në faqen e kompanisë, merren me remontin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme për sektorët e EPS-së.
Humbjet e kompanisë për vitin 2021 ishin 11.5 milionë euro.
Në vitin 2021 edhe kompania “Minierat sipërfaqësore të Kosovës” [“Površinski kopovi Kosovo”] shënoi humbje prej rreth 2.8 milionë eurosh. Ajo është regjistruar në vitin 1991 për shfrytëzimin e linjitit dhe qymyrit të murrmë, por gjithashtu që nga viti 1999 nuk ka kontroll mbi minierat në Kosovë dhe nuk është e angazhuar në aktivitetin e saj kryesor.
“Një numër i madh punëtorësh janë të punësuar në EPS dhe kompanitë që ajo i ka themeluar, për riparime të pajisjeve të energjisë termike, mirëmbajtje të vazhdueshme, menaxhim të makinerive në funksion…”, thuhet në raportin vjetor të kompanisë për vitin 2021.
Në korrik, Këshilli Fiskal i Serbisë, një organ i pavarur shtetëror, u mor me punën e kompanive të përmendura në raportin e titulluar: “Problemet strukturore të energjisë serbe në dritën e krizës globale: shkaqet, kostot dhe zgjidhjet e mundshme”.
Në raportin e Këshillit Fiskal thuhet se EPS-ja ka shpenzuar 45 milionë euro në vitin 2020 për pagat e punonjësve të këtyre kompanive (me përjashtim të “Elektrosever”, e cila nuk ka funksionuar dhe nuk është përfshirë në raport), dhe rreth 42 milionë euro në vitin 2021. Bëhet fjalë për 3.300 punëtorë, sipas të dhënave në fund të vitit 2020.
“Nga pikëpamja e EPS-së, këto shpenzime paraqesin një kosto të pastër”, thuhet në raport dhe shtohet se kjo është për shkak se punëtorët në Kosovë de fakto “nuk kontribuojnë në proceset e prodhimit në kompani”.
Në raport po ashtu thuhet se financimi i këtyre kompanive është barrë për EPS-në sepse ajo, pas vitit 1999, nuk ka pasur kontroll mbi asetet dhe operacionet e këtyre kompanive.
Sllobodan Miniq, këshilltar special i Këshillit Fiskal, i cili ka punuar në raportin e lartpërmendur, po ashtu thotë se ka dyshime edhe për ligjshmërinë e pagesave të pagave për punëtorët nga Kosova.
“E gjithë situata me pagesat e pagave për punëtorët në Kosovë ka dalë në Gjykatën Kushtetuese dhe ato pagesa janë shpallur të kundërligjshme. Nuk jemi në dijeni nëse në ndërkohë është gjetur një zgjidhje alternative ligjore në bazë të së cilës EPS-ja vazhdon t’i paguajë ata”, tha Miniq.
Përkatësisht, pagat për punëtorët nga Kosova që punojnë në shërbime publike paraprakisht janë paguar në bazë të Konkluzionit të Qeverisë së Serbisë të vitit 2003, dhe konkluzioni parasheh paga më të larta për punëtorët nga Kosova në krahasim me të punësuarit në kompanitë në Serbi, me shpjegimin se janë “në pozitë të pabarabartë me qytetarët e tjerë”.
Ky konkluzion u kundërshtua nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë në vitin 2010, duke theksuar, ndër të tjera, se masa të tilla mund të merren vetëm me ligj.
REL-i nuk ka marrë përgjigje nga EPS-ja dhe kompanitë e saj se në bazë të cilës rregullore ua paguan pagat punëtorëve nga Kosova.
Miniq thotë se për momentin EPS-ja ka problem edhe me punëtorët e tepërt, të cilët përbëjnë rreth 10 për qind të numrit të përgjithshëm të të punësuarve.
“Është e vështirë të vlerësohet nëse të gjithë punëtorët [në kompanitë nga Kosova] janë tepricë apo nëse disa prej tyre mund të gjejnë punësim të përhershëm në EPS. Kjo është arsyeja pse ne rekomanduam në raport që të gjenden zgjidhje për ato kompani”, thotë ai.
Radio Evropa e Lirë ka njohuri se disa punëtorë të EPS-së në zonat e banuara me serbë në Kosovë janë vetëm në listën e pagave, por nuk janë të punësuar, gjë që ua mundëson atyre që të punojnë pa probleme në sistemin e Kosovës.
Të dy sistemet, në Serbi dhe në Kosovë, nuk e njohin njëri-tjetrin, pra nuk ka asnjë bashkëpunim apo pasqyrë të administratës.
Nga ana tjetër, ka edhe nga ata që punojnë për një periudhë të caktuar kohore nëpër qytete të Serbisë.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë deklarata nga këta punëtorë, por ata nuk kanë dashur të flasin publikisht.
Duke financuar kompanitë që nuk angazhohen në aktivitetet për të cilat është themeluar EPS-ja, ajo bëhet peng i politikës, beson Miniq.
“Është një problem më i gjerë politik dhe social që mbetet në kuadër të EPS-së për ta trajtuar atë. Nëse ka punëtorë që nuk kontribuojnë në proceset e prodhimit të EPS-së, do të ishte një zgjidhje më e pastër që shteti të hartonte një program social për ata persona jashtë bilancit të EPS-së”, thekson ai.
Me humbje është duke operuar edhe Kompania energjetike e Serbisë, humbje të cilat më 2021 arritën shifrën prej rreth 141 milionë eurosh.
Ministria e Minierave dhe Energjetikës së Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se si dhe kur pritet të zgjidhet statusi i kompanisë EPS nga Kosova.
Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian 11 vjet më parë.
Palët arritën një Marrëveshje për energjinë në vitin 2013, ndërsa në vitin 2022 miratuan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për energjinë.
Më 9 gusht, Bashkimi Evropian deklaroi se zbatimi i Udhërrëfyesit po vonohet dhe fajin për këtë ua la “teknikaliteteve”.