Gazetari Idro Seferi, përmes një lidhjeje direkte në “Info Magazinë” në Klan Kosova, ka folur në lidhje me takimin e Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel.
Ai është shprehur se ende nuk është sqaruar se çfarë ka bërë presidenti serb në Bruksel.
“Ende nuk është sqaruar se çfarë ka bërë Vuçiq në Bruksel dhe një periudhë më të gjatë, gjatë qëndrimit të tij edhe ditën e sotme dhe se çfarë ka diskutuar, por Petkoviq tha se e ka shtyrë për shkak se ka qenë mjaft i angazhuar atje në Bruksel dhe se bisedimet atje nuk kanë qenë të lehta, por që, sipas tij, kjo do të sqarohet të dielën”, tha ai.
Tutje, Seferi bëri të ditur se shtypi serb ka thënë se duket se ka pasur një dakordim me Bashkimin Evropian që të mos ketë deklarata tensionuese gjatë këtyre ditëve.
“Vuçiq kishte thënë edhe dje se brenda 48 orëve të ardhshme do t’i drejtohet popullit, siç thotë ai, për të treguar se si është situata, por gjithsesi shtypi serb thotë se duket se ka pasur një dakordim me Bashkimin Evropian që të mos ketë deklarata tensionuese gjatë këtyre ditëve, por t’i lihet hapësirë mundësisë për t’u arritur një marrëveshje”, u shpreh tutje Seferi.